Ministri i Financave Avdullah Hoti, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar për Programin e Reformave në Ekonomi, mori pjesë në takimin ‘Economic and Financial Affairs Roundtable’, ku së bashku me ministrat tjerë të Rajonit të Ballkanit dhe Turqisë miratuan konkluzionet e përbashkëta të këtij dialogu.
Programi për Reforma në Ekonomi paraqet nivel të rëndësishëm të komunikimit mes Kosovës dhe BE-së, përmes të cilit Kosova raporton mbi Qeverisjen Ekonomike sipas Procesit të Semestrit Evropian i cili synon të përgatisë vendet pjesëmarrëse për arritjen e kritereve të Kopenhagës.
Ky dialog është shtylla kryesore mbi të cilën mbështetet përafrimi i qeverisjes ekonomike të shteteve kandidate me atë të BE-së.
Përfaqësuesit e Komisionit Evropian theksuan se përkushtimi dhe angazhimi politik nga të gjitha shtetet e rajonit, është kyç për përmbushjen e obligimeve që dalin nga ky proces, dhe u evidentua që ato vende që kanë iniciuar reforma ambicioze janë ato vende që kanë rritjen më të madhe ekonomike në rajon.
Prandaj, duke i falënderuar vendet për reformat dhe propozimet e tyre, u bë thirrje që të zbatojnë në mënyrë efektive të gjitha reformat e filluara në përgjithësi dhe reformat e propozuara si pjesë e këtij dialogu në veçanti. Kjo me qëllim që të tejkalohen sfidat strukturore me të cilat përballen shtetet e rajonit, për të përafruar kështu qeverisjen e tyre ekonomike me atë të shteteve të Bashkimit Evropian.
Kosova qëndron mirë krahasuar me rajonin në çështjet si niveli i borxhit publik dhe niveli i kredive jo-performuese, ndërkaq mbetet të punohet më tepër në mbikëqyrjen e rregullave fiskale në fuqi. Rajoni në përgjithësi duhet të punojë më tepër në luftimin e ekonomisë joformale, reformimin e sektorit të energjisë, si dhe rritjen e fleksibilitetit të tregut të punës- veçanërisht punësimin e rinisë.
Përfaqësuesi nga Banka Qendrore Evropiane thekson rëndësinë e aprovimit të kornizave makroprudenciale, gjë që Kosova e ka bërë së fundmi, ndërkaq duhet të vazhdohet me avancimin e instrumenteve analitike në shërbim të Bankave Qendrore.
Ministri i Financave Avdullah Hoti në cilësinë e kryesuesit të delegacionit falënderoi Komisionin Evropian dhe Bankën Qendrore Evropiane për vlerësimin e ERP-it si një dokument kualitativ për nga aspekti analitik. Po ashtu, Ministri Hoti falënderoi KE-në për vlerësimin e tyre që Kosova ka propozuar reforma ambicioze dhe më mirë të strukturuara, gjë që mbështet Kosovën në mbajtjen e normave të rritjes ekonomike ndër më të lartat në rajon.
Vlerësimi i ERP-së dhe rekomandimet përkatëse do të publikohen në faqen zyrtare të Komisionit Evropian pas datës 23 maj, kur planifikohet të miratohen konkluzionet dhe rekomandimet përfundimtare.
ERP gjendet në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave (në tri gjuhë) tek vegëza: http://mf.rks-gov.net/page.aspx?id=2,28