Kombëtarja e Kosovës ka arritur sot në Parma të Italisë dhe është akomoduar në “nH Hotels”. Ekspeditën e Dardanëve në aeroportin e Parmës e ka pritur ambasadorja e Kosovës në Romë, Lendita Haxhitasim.
Me këtë rast ajo i ka uruar mirëseardhje presidentit Agim Ademi dhe ekspeditës së Kombëtares, duke i dëshiruar sukses në ndeshjen e nesërme kundër Moldavisë.
Ndërkohë, grupit të futbollistëve që udhëtuan nga Kosova në Parma iu bashkuan edhe shtatë lojtarët e tjerë: Samir Ujkani, Hekuran Kryeziu, Herolind Shala, Benjamin Kololli, Leart Paçarada, Milot Rashica dhe Elbasan Rashani.
Gëzon fakti se edhe rezultatet e testeve të këtyre futbollistëve për Covid-19 kanë rezultuar negative. Kësisoj, të gjithë lojtarët janë në dispozicion të përzgjedhësit Challandes, i cili sonte në orën 18:45 do ta mbajë seancën e fundit stërvitore me djelmoshat dardanë para përballjes së nesërme me moldavët, njofton FFK.