Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur sot në takim Komandantin e ri të Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneral brigade Stephen Osborn, i cili po qëndron për herë të parë në vizitë në Kosovë në cilësinë e Komandantit të GK Iowa.
Fillimisht, KOMFSK i ka uruar mirëseardhje gjeneralit Osborn dhe e ka njoftuar me të arriturat e FSK-së, planin e zhvillimit dhe tranzicionit dhe përgatitjet që janë bërë deri në këtë fazë për të realizuar ushtrimin ndërkombëtar “Defender Europe 23”.
Gjeneral Jashari falënderoi gjenerali Osborn, për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe mbështetjen e vazhdueshme që Garda Kombëtare e Iowa’s ka dhënë në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së në fushën e korit të nënoficerëve, mjekësisë ushtarake, fushën e sigurisë kibernetike dhe së fundi me fokus të shtuar në fushën e manovrës luftarake. Gjatë takimit gjeneralët biseduan edhe për misionin e përbashkët (SHBA, Kosovë) në Kuvajt në vitin 2020, ku gjeneral Jashari theksoi se FSK është e gatshme për pjesëmarrje në zbarkimet e ardhshme të gardës si dhe të ushtrisë amerikane.
Gjatë vizitës Komandanti i Gardës Kombëtare të Iowa-s gjenerali Osborn ka vizituar edhe Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së ku është njoftuar me të arriturat, planet dhe operacionet që është duke realizuar FSK. Gjeneralët u zotuan për të vazhduar partneritetin e shkëlqyer në mes dy ushtrive në ngritjen dhe avancimin e bashkëpunimit dhe partneritetit. /2LONLINE/