Sot, në Tiranë u mbajt Dita e Vizitorëve, me rastin e përfundimit të operacionit të përbashkët të ushtrimit fushor “Albanian Lion 2018’’, në të cilën mori pjesë edhe një delegacion i FSK-së, në krye me komandantin e saj, gjenerallejtënant Rrahman Rama, si dhe oficerë të lartë nga shtetet pjesëmarrëse në këtë ushtrim, si nga: Kosova, Kroacia, Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuara.
Para rreshtave të ushtarakëve të shteteve të NATO-s, si: Shqipëria, Kroacia dhe Mbretëria e Bashkuar, ishin edhe ushtarakët e Republikës së Kosovës si shtet pjesëmarrës në ushtrim, që ka për qëllim anëtarësimin në NATO, foli ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, zonja Olta Xhaçka, e cila, në fjalën e saj, çmoi lart ndërveprueshmërinë ndërmjet kontingjenteve ushtarake të vendeve pjesëmarrëse.
Ndërkaq, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, i shoqëruar nga gjeneral brigade Fadil Hadergjonaj, komandanti i BRSH-së, përgëzoi pjesëtarët e kontingjentit të FSK-së, pjesëmarrës në ushtrimin ndërkombëtar ,,Albanian Lion 18’’, për disiplinën, përkushtimin dhe profesionalizmin që ata treguan gjatë operacioneve në këtë ushtrim fushor.
Republikën e Kosovës, përkatësisht Forcën e saj të Sigurisë, në këtë ushtrim e ka përfaqësuar një kontingjent i përbërë nga 35 pjesëtarë të Brigadës për Reagim të Shpejtë.
Ushtrimi ndërkombëtar ,,Albanian Lion 18” kishte si qëllim demonstrimin dhe avancimin e shkathtësive luftarake në nivel togu dhe mbështetjen mjekësore fushore me qëllim të vendosjes së ndërveprueshmërisë taktike me partnerët strategjikë.
Objektiva të këtij ushtrimi ishin: Integrimi i forcave dhe rritja e ndërveprueshmërisë taktike me partnerët, ngritja e shkathtësive manovruese individuale dhe në qifte, rritja e aftësive të mbijetesës në fushëbetejë, ngritja e njohurive për drillet e betejës në nivel skuadre dhe togu, ngritja e njohurive për operacionet e bazave patrulluese etj.
Vlen të ceket se të gjitha këto aktivitete janë zhvillua në bashkëpunim me instruktorët e Trupave Komando të Marinës së Mbretërisë së Bashkuar.
Ushtrimi ndërkombëtar ,,Albanian Lion 2018’’, i zhvilluar në Republikën e Shqipërisë, ka filluar më 14 shtator dhe ka përfunduar sot, më 24 shtator 2018.