Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama raporti sot para Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, për të arriturat e përgjithshme të FSK-së, për vitin 2017. Takimin e hapi kryetari i këtij komisioni, z. Haxhi Shala, i cili falënderoi komandantin e FSK-së, gjeneralin Rrahman Rama, për gatishmërinë për të raportuar para komisioni për të arriturat e FSK-së, për vitin 2017.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama në prezantimin e raportit përmbledhës para anëtarëve të këtij komisioni, tha: ,,Duke u bazuar në objektivat e Ministrit dhe prioritetet e Komandantit të FSK-së, të dhëna në Direktivën për vitin 2017, si dhe në Planin Operativ të aktiviteteve dhe stërvitjeve, FSK-ja ka përfunduar vitin kalendarik 2017, dhe në bazë të rezultateve që kemi arritur në të gjitha fushat, mund të konkludojmë se ky vit e ka përcjellë FSK-në me mjaft suksese të realizuara si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Këto suksese janë arritur falë përkushtimit dhe angazhimit profesional të pjesëtarëve të FSK-së, në të gjitha nivelet”
Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama më tej tha se në harmoni me udhëzimet e Ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Komandanti i FSK-së ka nxjerrë objektivat/prioritetet e tij për vitin 2017, siç janë: Mirëmbajtja e Gatishmërisë Operacionale, Zhvillimi i Forcës, Menaxhimi i Forcës, Mbështetja e Forcës dhe Ndërtimi i Partneritetit.
Më tej, gjeneral Rama tha se gjatë këtij viti si brenda vendit dhe jashtë vendit janë realizuar shumë kurse profesionale specialistike individuale dhe kolektive të cilat po zhvillohen edhe në akademitë më prestigjioze të vendeve partnere si: Akademinë Ushtarake West Point në SHBA, Akademinë Ushtarake në Britani të Madhe, akademitë në Shqipëri, në Turqi, në Kroaci, në Maqedoni etj.
Komandanti i FSK-së gjithashtu i njoftoi anëtarët e Komisionit Parlamentar edhe për aktivitet e njësiteve profesionale duke u ndalur në operacionet e deminimit, për pastrimin e fushave të minuara në nivel vendi, operacionet e kërkim-shpëtimit të helmeve kimike, operacionet mbështetëse humanitare në shërbim të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Një rendësi të veçantë komandanti i FSK-së, gjeneral Rama i kushtoi edhe ndërtimit të partneritetit me vendet anëtare të NATO-s , me KFOR-in, SHBA-të, e sidomos me Gardën Kombëtare të Ajovës, duke thënë se kemi realizuar qindra trajnime të përbashkëta jo vetëm në kuadër të FSK-së, por edhe në Ajova.
Gjenerali Rrahman Rama, në kuadër të raportimit foli edhe për përgatitjet e përgjithshme që janë bërë për transformimin e FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës.
Shumë nga deputetët e Komisionit Parlamentar të Kosovës, në fjalën e tyre përgëzuan komandantin për arritjet e përgjithshme si dhe parashtruan pyetje të shumta që kishin të bënin me transformonin e FSK-së, me trajnimet, ushtrimet, shkollimet si dhe përqindjen e përgjithshme të pjesëtarëve të FSK-së.