Anëtarë të Kuvendit Komunal të Gjilanit nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët sot braktisën seancën e Kuvendit, kanë organizuar një aksion simbolik para zyrës së kryetarit të komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri – Luta, me ç’rast ia kanë dhuruan një stufë me dru, për ta përdorur si suvenir, diku në zyrën e tij.
Arbëreshë Kryeziu – Hyseni, kuvendare e Vetëvendosjes ka thënë se ky aksion erdhi si revoltë ndaj injorancës së kryetarit Haziri gjatë seancës së pestë të Kuvendit që u mbajt po sot, ku ai injoroi tërësisht shqetësimin e ngritur nga ajo si këshilltare komunale e Vetëvendosje, lidhur me gjendjen e mjerueshme në të cilën gjendet shkolla fillore “Vehbi Ibrahimi”, në fshatin Uglar.
Arbëreshë Kryeziu Hyseni, gjatë seancës e paraqiti me foto gjendjen e kësaj shkolle, duke dhënë imazhe të dhimbshme të shkollës, e cila ngrohet me stufa me dru, ka dyer dhe dritare të shkatërruara, ka inventar që ka mbetur nga viti 1984 kur shkolla është ndërtuar, ndërkaq si pasojë e mungesës së rrethojës së shkollës, nxënësit rrezikohen nga qentë endacakë dhe bagëtia e fshatit kullosë gjatë gjithë kohës në këtë oborr.
“Ky shqetësim mjaft serioz dhe i kamotshëm i banorëve të fshatit Uglar, nuk ia vrau aspak ndërgjegjen kryetarit Lutfi Haziri, i cili tha se edhe ai kur ka qenë nxënës, lopët kanë kullotur vazhdimisht në shkollën e tij dhe nuk është marre, duke shtuar se nuk “bohet beti” mu ngrohë nxënësit me “koftorë”, sepse sipas tij, stufat me dru janë pjesë e orendive tona shtëpiake”, është shprehur Kryeziu – Hyseni.
Ajo tha se, meqenëse Lutfi Haziri jeton në një shtëpi tejet luksoze, njëjtë sikurse vepron në një zyre të mobiluar sipas kohës moderne, këshilltarët e Vetëvendosjes po i dhurojnë atij një stufë me dru, që ta ketë si suvenir në zyrën e tij.
“Pavarësisht kërkesave të shumta që drejtori i shkollës fillore “Vehbi Ibrahimi” ka adresuar në Drejtorinë e Arsimit në Gjilan dhe në zyrën e kryetarit të komunës dhe është injoruar vazhdimisht, tek së fundi kur ka arritur të paktën të njoftojë ushtruesen e aktuale të detyrës së drejtoreshës së Arsimit Majlinda Hoxha për gjendjen e shkollës, ndërkaq pavarësisht se ka provuar prapë që të njëjtën gjë ta bëjë edhe me kryetarin e komunës, nuk ka arritur të marrë përgjigje”, ka thënë ajo..
Ndërkaq, siç thotë Arbëreshë Kryeziu – Hyseni nga Vetëvnedosje, vet Lutfi Haziri, gjatë seancës, e pranoi që shkolla fillore e fshatit Uglar, ka qenë e lënë mbasdore sa i përket investime, duke u kapur në atë se i është dhënë prioritet fshatit në ndërtimin e urave dhe rregullimin e shtratit të lumit, të dyja këto iniciativa vetanake të banorëve të fshatit, pas as edhe më të voglën përkrahje nga ana e institucioneve komunale.