Projektligji për Pagat është votuar sot nga Komisioni për Administratë Publike në Kuvendin e Kosovës. Ky projektligj pritet të votohet nga deputetët në seancën e së enjtes në lexim të dytë.
Sipas këtij versioni rrogën më të lartë do ta kenë drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe drejtori i SHSKUK-së me koeficient 6.75 që në vlerë monetare i bie pak më shumë se 1600 euro.
Pas tyre vijnë drejtorët e klinikave në nivelin tretësor me koeficient 5.3 ose rrogë 1266 euro, drejtorët e spitaleve të përgjithshme në nivelin dytësor me 5.2, rrogë 1242 euro dhe drejtorët në nivelin parësor me koeficient 5.1 ose pagë 1218 euro.
Mjekët specialistë, ku janë përfshirë edhe specialistët e mjekësisë familjarë janë vlerësuar me koeficient 5.0 që në rrogë i bie 1195 euro. Mjekët në specializim do ta kenë koeficientin 3.65 (872 euro) dhe mjekët e përgjithshëm, psikologët klinikë dhe farmacistët janë vendosur në të njëjtën kategori me koeficient 3.5 do të marrin rrogë 836 euro.
Pas tyre vijnë fizioterapeutët me koeficient 3.2 që në vlerë monetare i bie rreth 750 euro. Kategoria Kryeinfermierë do të kenë koeficientin 2.6 me rrogë 621 euro, ndërsa infermierët, mamitë, teknikët mjekësorë dhe teknikët farmacistë, janë ndarë në vetëm dy kategori, të nivelit tretësor dhe dytësor, dhe nivelin parësor.
Në nivelin tretësor dhe dytësor, këto katër kategori do të kenë koeficientin 2.25 i cili në rrogë i bie 537 euro, kurse infermierët dhe punëtorët tjerë do ta kenë koeficientin 2.2 ose 12 euro më pak sesa në nivelin tretësor.GShneta