Përditësimet dhe modernizimi i Kodit Civil në Kosovë, si dhe përfitimet që gëzojnë personat fizik e juridik nga i njëjti, ishin pjesë e temës së diskutimit gjatë një forumi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, me Ministrin e Drejtësisë Selim Selimi dhe një panel ekspertësh mbi këtë fushë.
Ministri i Drejtësisë i Republikës së Kosovës Selimi Selimi, theksoi se Kodi Civil është një ndër dokumentet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë në Kosovë, pas Kushtetutës, pasi që i njëjti kodifikon në mënyrë të plotë të drejtën civile përmes pesë librave që trajtojnë aspekte të veçanta siç janë detyrimet, pronësia, familja e trashëgimia. Duke folur për risitë që dalin nga ky kod, Ministri Selimi theksoi se një nga përfitimet kryesore nga Kodi Civil është fuzionimi i të gjitha normave dhe ligjeve relevante në një kod të vetëm, i cili mes të tjerash ndihmon edhe ekonominë e tregut përmes definimit të pronësisë, të drejtës kontraktuale dhe detyrimeve, si dhe të drejtave të personave fizik apo juridik të përfshirë në çështje ekonomike.
Haxhi Gashi, ekspert kyç i Projektit të Kodit Civil duke përmendur harmonizimin e dispozitave ligjore si një ndër përfitimet kyçe të këtij Kodi, theksoi se ky dokument do të lehtësoj punën e gjykatave gjatë vendimmarrjes. Gashi poashtu tha se ky kod është krucial në veprimtarinë e bizneseve, derisa theksoi se përmes ndërlidhjes dhe harmonizimit të ligjeve siç janë ai mbi detyrimet, pronën dhe trashëgiminë, përmes Kodit Civil është mbushur një boshllëk në legjislacionin kosovar i cili tani është më gjithëpërfshirës për ndërmarrjet. Gashi gjithashtu cilësoi krijimin e këtij Kodi si një avancim kyç i Kosovës kundrejt shteteve të rajonit në aspektin ligjor.
Dr. Kerstin Niethammer-Juergens, udhëheqëse e projektit të Kodit Civil, potencoi se qëllimi primar i veprimtarisë së projektit që ajo udhëheq është modernizimi i sistemit ligjor dhe definimi i çështjeve të adresuara brenda tij. Ajo gjithashtu tha se gjatë krijimit të këtij kodi janë marrë parasysh instrumente kryesore nga sistemet e shteteve të tjera, të cilat janë përshtatur dhe krijuar me qëllim që t’i shërbejnë më së miri sistemit ekzistues në Kosovë.
Alfons Lentze, këshilltar për çështje ligjore dhe politika të sundimit të ligjit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, potencoi rolin mjaft të rëndësishëm të komunitetit të bizneseve mbi krijimin dhe implementimin e Kodit Civil, duke përmendur faktin se i njëjti ka qenë një investim shumë i madh i cili do të sigurojë një ekonomi më të fuqishme për Kosovën. Lentze po ashtu theksoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit mes akterëve relevant si odat ekonomike dhe ndërmarrjet që ato përfaqësojnë për implementimin e mirëfilltë të Kodit Civil për të mirën e qytetarëve dhe bizneseve në vend.