Ata që janë angazhuar me e marr pushtetin me çdo kusht, nuk do të duhej të këmbëngulin që pushtetin ta mbajnë me çdo çmim.
Ismajl Kurteshi
Në një situatë normale, votimit të qeverive i paraprinë diskutime rreth programit qeverisës, në kuvendet kombëtare. Në rastin konkret, po të ishte situata normale, do të kishte program qeverisës dhe deputetët në Kuvendin e Kosovës, do të diskutonin rreth atij programi.
Për shkak të pamundësimit të debatit nga ana e pozitës por edhe duke e pas parasysh se në atë variant të shkurt të programit, ku prezantohen vetëm konstatime të përgjithshme, që nuk thonë asgjë konkrete se cilët do të jen hapat konkret të kësaj Qeverie në fushën e caktuara nuk pati çka të diskutohej konkretisht rreth programit, përveç se të konstatohej se program realisht nuk kishte, në momentin kur u votua për Qeverinë.
Acarimi tej mase në dy seancat e para të kësaj legjislature, në mesë të opozitës dhe pozitës, akuzat e rënda, fyerjet dhe sharjet që asnjëherë më parë nuk janë dëgjuar në Kuvend, janë arsye të mjaftueshme që t’i shtyn të gjithë ata që janë të interesuar për normalizim të situatës, të kontribuoj në qartësimin e kësaj situate, kurse qartësimi do të ndihmon në qetësimin e situatës së krijuar me koalicionin e varur drejtpërdrejt nga Serbia.
Shumë deputet të pozitës, këto ditë i kanë pyetur kolegët e tyre nga opozita, nëse ata, mendojnë se deputetët e pozitës, janë bashkëpunëtor të Serbisë, ose e kanë ndihmuar ndonjëherë Serbinë, e pyetje të tjera të kësaj natyre. Këto dhe pyetje tjera të ngjashme të qojnë në përfundimin se brengosja dhe konstatimet e disa deputetëve të opozitës në lidhje me koalicionin qeverisës kuptohen si akuza mbi të kaluarën e tyre personale. Për shkak të këtyre keqkuptimeve është i domosdoshëm sqarimi në vijim.
Është fakt se një numër i konsiderueshëm i deputetëve të koalicionit PAN, kanë luftuar okupatorin e Kosovës të quajtur Serbi me dekada.
Personalisht jam i bindur se një pjesë e konsiderueshme e deputetëve të koalicionit qeverisës kurrë nuk kanë qen bashkëpunëtor të Serbisë.
Por brengosja e deputetëve të opozitës dhe e qytetarëve të Kosovës se çka do t’i sjell vendit ky koalicion i panatyrshëm është legjitime dhe askush nuk mund ta mohoj të drejtën e tyre që t’i paraqesin shqetësimet e veta.
Fakti që ky koalicion që i bëri 61 vota për ta votuar Qeverinë, i ka vetëm 52 deputet që e njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës është shqetësues.
Është po ashtu shqetësues fakti që Lista Serbe, e cila e dirigjuar nga Beogradi zyrtar, hapur po punon për rrënimin e Shtetit të Republikës së Kosovës, është partnere e koalicionit pa të cilën Qeveria nuk do të ishte formuar dhe as nuk mund të mbetet në pushtet.
Faktet e lartpërmendura janë dëshmi e rritjes së ndikimit të Serbisë në Kosovë, si kurrë ndonjëherë më parë, janë të pamohueshme.
Prandaj, është e kuptueshme se të gjithë ata që kanë kontribuar në bërjen e këtij koalicioni, Qeveria e të cilit varet nga Lista Serbe, me vetëdije ose pavetëdije e kanë bërë një argat për rritjen e ndikimit të Serbisë në Kosovë, dhe se ata e din që Serbia nuk do të hynte dhe as nuk do të qëndron në këtë koalicion pa përfitime të natyrës hegjemoniste. Ky fakt nuk mund të mos i ngarkon me përgjegjësi të gjithë ata që e votuan këtë koalicion.
Duke e pas parasysh se mandatet e qeverive janë të përkohshme, kurse veprat e secilit nga ne, sidomos ato të dëmshmet, mbahen mend gjatë , shpresoj se Ramush Haradinaj, bashkë me deputet që dikur i kanë dhënë këti vendi, e që kohët e fundit janë angazhuar me e marr pushtetin me çdo kusht, nuk do të këmbëngulin që pushtetin ta mbajnë me çdo çmim.
Prandaj, pozita që po përpiqet situatën e krijuar ta prezantoj si normale, në vend të fyerjeve drejtuar opozitës, duhet të angazhohet që të del nga kjo situatë, në të cilën Serbisë ju ka rrit shumë ndikimi .