Reagim i KMDLNj-së
Së fundi doli në opinion edhe një skandal, sigurisht edhe jo i fundit i Zyrës së Prokurorit të Specializuar për hetim, arrestim, gjykim dhe dënim ekskluzivisht në baza etnike. ZPS-ja shkeli ligjin pasi ndikoi që Gjykata Speciale Raciste në Hagë, në mënyrë të kundërligjshme e bëri publike një aktakuzë të pakonfirmuar për të arsyetuar arrestimin e kundërligjshëm të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Veprim skandaloz kundër të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria.
Ndonëse nuk ishte asgjëkundi me dosje paraprake, iu bëri presion mbrojtjes, të akuzuarve, familjarëve, opinionit dhe vet Gjykatës se do të jetë e gatshme për fillim të gjykimit në shtator të vitit 2021 në ndërkohë që as sot nuk është e gatshme për ta nisur procesin.
Kërkoi 1869 orë për të prezantuar dhe mbrojtur aktakuzën, kohë që nuk e pati as Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte për ish-Jugosllavinë thuaja për të gjitha rastet. Shpiku dëshmitarë pa adresa, pa identitet sikur që futi në listën e dëshmitarëve edhe persona të vdekur. Futi në listën e dëshmitarëve e që intervistuan persona që në kohën e luftës ishin të moshës së një fëmije, pa i mbushur 10 vjet. Aq shumë e redaktoi aktakuzën duke bërë përpjekje që maksimalisht ta pamundësojë mbrojtjen efektive të të akuzuarve duke e vënë Gjykatën para aktit të kryer.
Në mënyrë të paskrupullt, të pamoralshme dhe në kundërshtim të çdo dinjiteti dhe integriteti profesional i fshehu provat shfajësuese për të akuzuarit sikurse refuzoi të gjitha garancitë e shteteve tjera se do të siguronin realizimin e masës së shqiptuar, në përputhje me standardet dhe Rregulloren e ZPS-së.
Bashkëpunoi jashtë çdo kriteri profesional me organet e sigurimit të Serbisë që kishin përgjegjësi konkrete dhe faktike, qoftë si ekzekutues të drejtpërdrejtë, qoftë si urdhërdhënës në bazë të përgjegjësisë hierarkike ushtarake dhe policore për ekzekutimin e civilëve shqiptarë, zhdukjen e kufomave dhe asgjësimin e tyre në ndërkohë që kundërshtoi të merren për shqyrtim kërkesa e mbrojtësve për listën e masakrave kundër civilëve në Kosovë, si dëshmi në favor të të akuzuarve.
U përpoq panjerëzishëm që viktimat t’i ndajë në baza fetare duke pohuar se krimet janë bërë për shkak të përkatësisë fetare e jo etnike. Me vonesë shumë të madhe dhe në mënyrë selektive përktheu materialet e kësaj zyre në mënyrë që të pakësojë mundësitë për përgatitje të mbrojtjes së të akuzuarve.
Së fundi doli në pah inskenimi i radhës kundër të të akuzuarve dhe mbrojtjes së tyre duke bashkëpunuar dhe duke përgatitur dëshmitarët e rrejshëm që ishin rekrutuar nga një njeri i shërbimit sekret serb i cili kishte sjellë dëshmitarë dhe dëshmi të rrejshme e që kjo Zyrë e Inkuizicionit i kishte marrë të mirëqena duke i përfshirë edhe në aktakuzë.
KMDLNj nga distanca sepse nuk i ishte lejuar monitorimi nga afër pikërisht nga kjo Gjykatë sikur që ishte dhe po pengohet nga institucionet e Kosovës, ka monitoruar të gjitha aktivitetet të cilat i ka përfshirë në raport dhe reagimet e shumta duke kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie, pa interferuar në punën e kësaj gjykate e që, deri më tani nuk e kanë bërë!
Nëse Gjykata Speciale është votuar në Kuvendin e Kosovës dhe nëse edhe inkuizitorët e kësaj gjykata ku ZPS-ja është pjesë përbërëse e thonë publikisht se janë pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, pse atëherë deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk paskan të drejtë ta ngre këtë çështje, si çështje e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria, të gjithë shtetas të Kosovës dhe të gjithë shqiptarë?!
Deputetët e Kosovës kanë mandat dhe detyrim të përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e qytetarëve të Kosovës në të gjitha rrethanat dhe vendet, pavarësisht statusit që e kanë ata qytetarë dhe këtë nuk po e bëjnë. Sikur edhe institucionet tjera përgjegjëse. Ose, e bëjnë në mënyrë selektive, diskriminuese në baza të pëlqimit politikë apo urrejtjes që e kanë ndaj tyre, i vizitojnë apo nuk i vizitojnë duke përfituar politikisht dhe materialisht. Përveç rrogës, marrin edhe mëditje për punën që nuk e bëjnë, as sipas mandatit, etikës profesionale dhe betimit që e bëjnë si përfaqësues të popullit.
KMDLNj tërheq vërejtjen se me mosveprimin e tyre, deputetët e Kuvendit të Kosovës sikur edhe përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës po e përligjin kriminalizimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar duke shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria e që garantohen me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Një institucion që ka përgjegjësi për votim të ligjeve e që është Kuvendi i Kosovës, që thirret në transparencë dhe llogaridhënie, nuk ka guxim e as vullnet të kërkojë transparencë dhe llogaridhënie nga një institucion të cilin vet e ka themeluar, Gjykatën Speciale Raciste në Hagë. Turp!