Ferid Shabani, kryesues i Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) për Komunën e Gjilanit ka bërë me dije se mbi bazën e planit operacional, përveç tjerash, KKZ-ja e Gjilanit për momentin është duke e zbatuar edhe periudhën e shërbimit të votuesve, që ka filluar që nga 3 shtatori dhe do të zgjasë deri më 14 shtator.
“Deri në këtë moment këtë mundësi e kanë shfrytëzuar 42 qytetarë/votues të cilët kanë bërë kërkesë për ndërrim të Qendrave të Votimit, ndërkohë që mbi 130 e kanë konfirmuar Qendrën e Votimit. Shfrytëzojë rastin t’u bëjë apel të gjithë votuesve të Komunës së Gjilanit, që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe përmes faqes së KQZ-së, online, por edhe drejtpërdrejtë në zyrat tona të KKZ-së që ndodhen në ndërtesën e soliterit në Gjilan (ish NLB Banka), të vijnë për të marrë këtë shërbim, nëse për të kanë nevojë”, ka thënë Ferid Shabani, për Portalin 2LONLINE.
Përndryshe, Programi i shërbimit të votuesve për zgjedhjet e parakohshme nacionale është që të ofrojë informacione të përgjithshme për votuesit, se kush i plotëson kushtet për votim, në cilin vend duhet votuar dhe si dhe ku të regjistrohen të dhënat e tyre më të reja për votim.
Kjo bëhet edhe për faktin që do të ketë votues të rinj, pastaj disa votues kanë mundur t’i ndërrojnë adresat e tyre të regjistrimit civil që nga zgjedhjet e kaluara, apo edhe votuesit mund të caktohen në qendra të reja të votimit si rezultat i krijimit të qendrave të reja të votimit.
Pra, ndërrimi i qendrave të votimit mund të bëhet përmes formularit të Aplikimit dhe dorëzimit të tyre për shqyrtim dhe aprovim në KKZ, si dhe ndërrimi i qendrave të votimit përmes aplikacionit online për ndërrimin e qendrave të votimit, që postohet në ueb faqen e KQZ-së.