Komiteti Komunal për Mbrojtje Shpëtim, ka mbajtur sot mbledhjen me të gjitha mekanizmat që janë pjesë e këtij komiteti, ku është vlerësuar situata aktuale pandemike në komunën e Vitisë.
Aktualisht në këtë komunë janë 115 raste aktive, ndërkohë brenda 24 orëve janë shënuar dy raste të reja me Covid 19.
Kryetari i komunës Sokol Haliti, ka theksuar se gjendja momentale nuk është e mirë, ndërkohë që situata është e menaxhueshme dhe kërkohet një ri mobilizim i të gjitha komisioneve.
“Do të rifillojmë kontaktin me të gjitha këshillat e fshatit, për të qenë në menaxhim të situatës sa më mirë. Po ashtu kërkoj nga drejtoritë që të fillojnë me shqyrtim të mundësive për kufizim të stafit punonjës, në mënyrë që të shmanget mundësia e parhapjes së epidemisë, ndërkohë që të punohet me staf të reduktuar në shërbimet që janë të domosdoshme”, ka thënë Haliti.
Ai kërkoi që të vazhdohet me klorifikim dhe dezinfektim, e posaçërisht kërkoi një vëmendje më të shtuar të gjendjes në arsim.
Komandanti i stacionit policor në Viti, kapiten Afrim Halili, u shpreh se janë duke e menaxhuar mirë situatën sa i përket respektimit të masave, kurse ka bërë të ditur se momentalisht janë 2 policë të infektuar.
Kurse drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Hanife Jonuzi, ka bërë të ditur se ditëve të fundit është shtuar numri i pacientëve që kërkojn asistencë mjeksore në Qendrën Kryesore të Mjeksisë Familjare në Viti. /2LONLIE.com/