Lëvizja Vetëvendosje! ka mbajtur mbledhjen e XXXI-të të Këshillit të Përgjithshëm. Kryesuesi i këtij Këshilli, Hydajet Hyseni, i përshëndeti të burgosurit politikë: Albin Kurtin e Donika Kadajn e po ashtu Atdhe Arifin, Egzon Halitin, Frashër Krasniqin dhe të dënuarën Adea Batusha.
Nënkryetarja e Lëvizjes, Fatmire Mulhaxha Kollçaku në fjalën e saj drejtuar delegatëve të Këshillit dhe tha se ‘kjo nuk është mbledhje e jashtëzakonshme, e parakohshme apo e njëanshme. Është e zakonshme dhe e paraparë me statut’. Kollçaku i përshëndeti si suksese të muajve të fundit edhe tri fitoret e komunave të Prishtinës, Prizrenit dhe Dardanës.
Ndërkaq, delegatëve të Këshillit, deputeti Albin Kurti i është drejtuar me një letër të cilën e lexoi delegati Arben Vitia. ‘Kemi rrethanë shumë të volitshme për ta rrëzuar qeverinë sepse opozita është me e madhe se pozita dhe Vetëvendosje është partia më e madhe. Ky shansi yni është shpresa e popullit’, thotë Kurti në këtë letër nga burgu.
Në këtë mbledhje u vendos me votim unanim për zgjedhjet e reja të brendshme për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, afati i të cilave do të caktohet nga Komisioni i Përgjithshëm Zgjedhor i Lëvizjes.
Po ashtu, në këtë mbledhje u votua edhe për koalicionet zgjedhore lokale, në Prishtinë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleancën Kosova e Re, në Prizren me Nismën për Kosovën, në Klinë me AAK dhe në Vushtrri me Lidhjen Demokratike të Kosovës.