Këshilli i Ministrave për Administratën Publike (KMRAP) ka zhvilluar sot mbledhjen e rregullt vjetore, ku shqyrtoi dhe miratoi raportet e zbatimit për vitin 2021 të planeve të veprimit për zbatimin e kornizës strategjike për reformat e administratës publike si dhe diskutoi strategjinë e re për reformat e administratës publike për periudhën 2022-2026.
Në takim, pjesëmarrës ishin: z. Resul Makreshi, zëvëndësministër i Financave, Punës dhe Transfereve; z. Avdulah Djesevic, Zëvëndësministër për Administrimin e Pushtetit Lokal; z. Mentor Arifaj, zëvëndësministër i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe z. Blerim Sallahu, zëvëndësministër i Drejtësisë.
Në hapje të takimit, zëvëndësministëri i MPB- se, Bardhyl Dobra, i cili kryesoi mbledhjen e Këshillit të Ministrave për Reformat e Administratës Publike, u shpreh se “Programi i qeverisë së Republikës së Kosovës 2021 – 2025 thekson se prioritet kyç është reforma e administratës publike që synon ndryshimin rrënjësor të cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve dhe krijimin e një administratë moderne dhe të aftë për përmbylljen e suksesshme të integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit u ra dakord se një nga arritjet kryesore të procesit të reformimit të administratës publike ka qenë procesi i dixhitalizimit të shërbimeve publike, e cila reformë ka kursyer para për qytetarët dhe ka përmirësuar ofrimin dhe qasjen në shërbimet publike për qytetarët dhe komunitetin e biznesit. Më tej, Këshilli i Ministrave për Reformat e Administratës Publike theksoi gjithashtu rëndësinë e krijimit të një shërbimi publik të bazuar në merita dhe krijimit të kuadrit ligjor të nevojshëm për rregullimin e sistemit të pagave në sektorin publik.
Këshilli i Ministrave për Reformat e Administratës Publike diskutoi draft-strategjinë e re për reformat e administratës publike 2022-2026 e cila bazohet në katër objektiva të përgjithshëm: Planifikimi dhekoordinimi i politikave i orientuar drejt rezultateve; Ofrimi i shërbimeve me cilësi të lartë; : Shërbim publik profesional dhe menaxhim efektiv i burimeve njerëzore, si dhe Rritja e nivelit të llogaridhënies dhe transparencës në administratën publike. /2LONLINE/