Tanimë më është bërë traditë në muajin Ramazan që Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan, t’i bashkojë në një sofër, kategori të ndryshme të shoqërisë. duke shtruar iftarin tradicional “Iftari na bashkon”, për të bërë bashkë personalitete të sferës fetare, politike, institucionale, të shoqërisë civile. mysafirë edhe jashtë Gjilanit, duke përfshirë edhe ata nga, qytete tjera të Kosovës, Lugina e Preshevës, si dhe nga Shqipëria. Maqedonia e Veriut, por edhe nga diaspora.
Kryetari i KBI-së në Gjilan, Naim Aliu, u shprehu mirëseardhje të gjithë të pranishmëve dhe i falënderoi që iu kanë përgjigjur ftesës për të qenë në një sofër të përbashkët të iftarit tradicional, transmeton Portali 2LONLINE.com.
“Sikurse edhe viteve tjera edhe kësaj here, Ramazani me plotë mëshirë na bashkoi me vëllezërit tanë nga të gjitha trojet tona rreth sofrës së Zotit… Ramazani është një shkollë në vete e cila mëson ta nxjerrë besimtarin më të pjekur, moralisht më të përsosur, fizikisht më të trajnuar për t’i bërë ballë çfarëdo sfide a të papriture që mund t’i ndodh në jetë”, ka thënë Aliu.
Ai shtoi tutje se momente si këto na bëjnë të reflektojmë dhe na motivojnë për t’i kultivuar edhe më shumë vlerat humane që na sjellë dhe na mëson agjërimi i Ramazanit, sikurse janë bujaria, zemërgjerësia, solidaritetit dhe afrimi me njëri tjetrin, transmeton 2LONLINE.com.
Të pranishmit i përshëndeti edhe Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, i cili tha se ndihet i privilegjuar që sonte në këtë natë të bekuar të muajit Ramazan ndodhet në këtë mes.
“Nuk ka asnjë sofër si sofra e Ramazanit dhe Sofra e iftarit që na bashkon me njëri tjetrin, na ofron me njëri tjetrin dhe shton dashurinë për njëri tjetrin. Prandaj dhe tradita e Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, për të organizuar këtë iftar është për tu vlerësuar dhe për tu përgëzuar për punën dhe kontributin e tyre të dhënë nëpër vite, e në veçanti për bashkëpunimin e tyre model, që ka me të gjitha institucionet e vendit”, ka thënë kryeimami Sahiti, transmeton 2LONLINE.com.
Të pranishmit i përshëndeti edhe, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni i cili vlerësoi KBI-në e Gjilanit për organizime të tilla, me thirrjen për solidaritet e me urimin që veprat tona, adhurimet tona të jenë të pranuara gjatë këtij muaji dhe gjithë bashkë të lutemi që gjendja e popullit tonë të ndryshojë për të mirë.
Në fund, u organizua edhe ceremonia e ndarjes së shpërblimeve pasi paraprakisht, nga Këshilli i Bashkësisë Islame e Gjilanit, ishin organizua gara në memorizimin e Kuranit, gara këto rajonale, nëpër disa kategori, e ku me këtë rast për të gjithë fituesit (tri vendet e para) u ndanë certifikata dhe shpërblime.
Në fund të këtij aktiviteti nën moton “Iftari na bashkon” lutjen e lexoi kryeimam i KBI të Gjilanit, Ilaz ef. Mustafa. /2LONLINE/