Reagim me rastin e vërtetimit të dënimit të Ratko Mlladiqit:
KËRKOJMË PËRGJEGJËSI EDHE PËR KRIMIN E GJENOCIDIT NDAJ SHQIPTARËVE NË KOSOVË!
Mekanizmi Ndërkombëtar i Apelit i Kombeve të Bashkuara që mori përsipër vazhdimin e lëndëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavi vërtetoi dënimin me burg të përjetshëm për Ratko Mlladiqin, si njërin nga përgjegjësit kryesor për gjenocidin kundër muslimanëve në Bosnje.
Ky vendim është mesazh i fuqishëm dhe shpresëdhënës për domosdoshmërinë e ngadhënjimit të drejtësisë si parakusht për parandalimin e përsëritjes së krimeve të kësaj natyre.
Ky vendim ngjall shpresa se një ditë do të dalin para drejtësisë edhe përgjegjësit për gjenocidin që shteti serb ka kryer kundër shqiptarëve në Kosovë.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” kërkon mobilizim të gjithanshëm të institucioneve shtetërore të Kosovës dhe të Shqipërisë në sensibilizimin e institucioneve ndërkombëtare për domosdoshmërinë që të njihet krimi i gjenocidit që shteti serb ka kryer kundër shqiptarëve në Kosovë dhe të dalin para drejtësisë edhe përgjegjësit për këtë gjenocid.