Qëndron Kastrati, kryetari i Komunës së Kamenicës ka bërë me dije se me ftesë nga Shkolla Teknike “Andrea Durrsaku” ka vizituar nxënësit e kësaj shkolle përgjatë kryerjes së provimit në Kontabilitetit, drejtimi i ekonomisë.
“Nga stafi u njoftova që për herë të parë në këtë shkollë, testimi kryhet në formë elektronike. Nxënësit e klasës së 11 kishin mundësi që përmes sistemit të punuar nga stafi i shkollës, të i nënshtrohen 100 pyetjeve të lëndës përkatëse”, ka thënë Kastrati.
Sipas tij, forma të tilla si këto janë shembulli më i mirë i transformimit dhe modernizimit të sistemit arsimor. Shkollat teknike janë shumë të rëndësishme në kohën e sotme. “Ne si qeverisje komunale do të mundohemi që ta rrisim cilësinë dhe kushtet teknike në këto shkolla. Suksese nxënësve dhe përgëzime për stafin e shkollës”, ka thënë kreu i Kamenicës Qëndron Kastrati.