Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, për nder të “Ditës Ndërkombëtare të Personave me Nevoja të Veçanta”, ka marrë pjesë në një tryezë diskutimi të organizuar nga shoqata “Handikos” në Kamenicë.
Në këtë tyrezë të pranishëm ishin edhe drejtoresha komunale e Arsimit, Mirhane Morina-Bislimi, drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Suna Zajmi-Krasniqi, kryetarja e shoqatës “Handikos”, Hyrmete Morina, përfaqësues të tjerë nga kjo shoqatë, si dhe zyrtarë komunal.
I pari i komunës, duke uruar këtë komunitet për ditën ndërkombëtare, ka thënë se është i vetëdijshëm që ata përballen me barriera të ndryshme në jetën e përditshme.
“Ky komunitet përballet me shumë barriera në jetën e përditshme, i nënshtrohet shumë më shumë kushteve të rënda e përballet me diskriminim në baza ditore. Por, nuk duhet të harrojmë se një nga kontribuesit e zhvillimit të shoqërisë sonë në të gjitha fazat është edhe kjo kategori”, ka thënë ai.
Kryetari Kastrati, po ashtu, ka theksuar se janë duke u munduar që sipas mundësive t’iu ofrojnë kushte më të mira e komunitet gjithpërfshirës.
“Për dy vite me rradhë kemi subvencionuar organizatën Handikos (rreth 18 mijë euro), që t’ua lehtësojmë angazhimet ditore. Si një nga komunat me buxhet tejet të ulët, akoma po përballemi me probleme të infrastrukturës bazike. Buxheti që ndahet për Kamenicën, është i pamjaftueshëm në raport me kërkesat e qytetarëve. Por, po mundohemi që të krijojmë zgjidhje me atë se çka kemi në dispozion, prandaj në projektet e infrastrukurës: asfaltim e ndriçim të rrugëve, kemi vendosur kritere për prioritetizim, e që njëra nga ato kritere ishte nëse në atë lokalitet ka persona me nevoja të veçanta. Po përkushtohemi që në projekte të reja, të parashihen qasje për karroca dhe toalete, si dhe do të mundohemi të bëjmë çka është e mundshme të implementojmë Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe të gjitha ligjet që janë në fuqi në Kosovë”, është shprehur ai.
Ndërsa kryetarja e shoqates “HandiKos” në Kamenicë, Hyrmete Morina, gjatë kësaj tyreze falënderoi kryetarin Kastrati për ndihmën dhe mbështetjen dhënë kësaj shoqate.
“Në ditën ndërkombëtare të personave me nevoja të veçanta, të cilën po e fillojmë me moton “Sot është dita jote, ngrite zërin”, përfitoj nga rasti të falënderoj kryetarin e komunës z. Qëndron Kastrati, për angazhimin dhe përkrahjen e vazhdueshme karshi Handikos. Si pjesë e shoqërisë që jemi, ndonëse me probleme e kushte jo të favorshme për zhvillim, inkurajoj secilin person me nevoja të veçanta që të ngrisë zërin dhe të kërkojë të përmirësohen kushtet tona, dhe e drejta për qasje të barabartë në shoqëri”, ka thënë ajo.
Ndërsa edhe dy drejtoret ajo e Arsimit dhe e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, kanë dhënë mbështetjen e tyre për personat me nevoja të veçanta, duke thënë se të drejtat e këtij komunitete janë të barabarta me të drejtar e secilit individ.
Kurse për shoqatën “Handikos” në Kamenicë, shoqata “Fehmi Agani” nga Arendali i Norvegjisë kanë dhuruar pajisje, dhe së shpejti do të arrijë edhe kontigjenti i dytë me këto pajisje. /2LONLINE.com/