Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, mori pjesë në takimin e kryetarëve të komunave, të thirrur nga Ministri i MAPL-së, Goran Rakic, ku është diskutuar për mbështetjen financiare të komunave për menaxhimin e pandemisë COVID-19, si dhe për bashkërendimin e aktiviteteve me komunat për fillimin e vitit të ri shkollor.
Në këtë takim të pranishëm ishin edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ministrja e Financave, Hikmete Bajrami, si dhe ministra të tjerë.
Kryetari Kastrati në këtë takim tha se grantet e fituara janë si shkak i insistimit nga vetë Komuna e Kamenicës.
“Komuna e Kamenicës ka përfituar pakrahasimisht më shumë grante nga qeveria krahasuar me të kaluarën. Ky është rezultat kryekput i insistimit tonë. Ne vazhdojmë të diskriminohemi dhe kemi nevojë që resurset tona t’i orientojmë tek komunikimi i brendshëm lokal, e jo në koridore të ministrive duke kërkuar të drejtën tonë”, ka thënë ai.
I pari i komunës kërkoi që Komuna e Kamenicës të trajtohet dinjitetshëm në ndarje të buxhetit.
“Unë sot e paraqita zhgënjimin dhe kërkesën tonë që Kamenica të trajtohet dinjitetshëm në ndarje të buxhetit, duke marrë parasysh madhësinë territoriale në raport me shërbimet komunale. Ndarja e buxhetit, është proces që duhet t’i nënshtrohet një formule komplekse që merr parasysh kontekstin dhe variabla të tjera. Kjo qasje e thjeshtëzuar e të gjitha qeverive, po e mbështetë për muri komunitetin tonë”, u shpreh Kastrati.