Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati së bashku me Drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Ambient dhe Inspektorat, Ramadan Basha si dhe zyrtarë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim gjatë ditës së sotme kanë mbikqyrë punimet për largimin e borës nga kompania e kontraktuar në disa lokalitete.
Që nga mbrëmë kompania e kontraktuar për kujdesin dhe pastrimin e rrugëve është në terren për të hapur rrugët lokale dhe ato rurale.
Kastrati u bën thirrje qytetarëve që të raportojnë për çdo vështërësi që kanë në lidhje me kalueshmërinë në rrugë dhe se duhet të kenë kujdes më të shtuar gjatë vozitjes.
“Bashkë me Drejtorin për Shërbime Publike Ramadan Basha, jemi në terren që nga orët e hershme të mëngjesit. Rruga për në Feriqevë tashmë është e hapur, ndërkaq po vazhdojmë rrugën për në Tugjec dhe fshatrat e tjera”, ka thënë Kastrati.
“Theksojmë se kompania për pastrimin e rrugëve do të vazhdoj punën e saj deri në largimin e borës nga të gjitha rrugët”, thuhet në njoftimin e komunës.