Për nder të 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Komuna e Kamenicës sot ka mbajtur seancë solemne në Kuvendin Komunal të Kamenicës.
Në këtë seancë kanë marrë pjesë, Kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati, nënkryetari Faton Jakupi, kryesuesi i kuvendit, Albert Sermaxhaj, delegatët e qytetarë të Kamenicës.
Kryetari, Qëndron Kastrati, duke uruar qytetarët për përvjetorin e 13-të të Pavarësisë së Kosovës, ka thënë se shtetndërtimi kërkon punë, përkushtim dhe më shumë dashuri për atdheun.
“Të gjithë qytetarëve të Kosovës, urime 13 vjetori i Pavarësisë. Sot në këtë përvjetor kujtojmë dhe përkulemi për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë, të cilën falë tyre ne e gëzojmë. Për të dërguar amanetin e tyre në vend, e kemi obligim që të ndërtojmë dhe të zhvillojmë Kosovën e pavarur në të gjitha fushat. Urime Kosovë!”, tha ai.
Pas seancës solemne Kryetari Kastrati, së bashku me drejtorët komunal dhe kryetarin e OVL-UÇK, Milaim Limani, kanë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve./2LONLINE.com/