Komuna e Kamenicës ka pranuar dy karrige stomatologjike me të gjitha pajisjet e nevojshme përcjellëse nga Ministria e Shëndetësisë.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë se si qeverisje janë pëkushtuar për përmirësimin e shërbimeve mjekësore.
“Sot arritën dy karriget stomatologjike me të gjitha pajisjet e nevojshme përcjellëse, në objektin e renovuar të Stomatologjisë. Që nga fillimi i qeverisjes, jemi angazhuar maksimalisht për përmirësimin e shërbimeve mjekësore dhe kujdesin ndaj pacientëve në secilën formë. Nga komuna, përmes organizatave të ndryshme e qeveria”, është shprehur ai.
I pari i komunës ka falënderuar drejtoreshën e Shëndetësisë Suna Zajmi-Krasniqi dhe drejtorin e QKMF-së Besim Beqiraj për punën dhe angazhimin.
“Ditëve në vijim do të bëhet montimi i tyre nga njerëzit kompetentë për këtë punë, dhe pastan do jetë në shërbim të qytetarëve. Falënderoj drejtoreshën e Shëndetësisë Suna Zaimi-Krasniqi dhe drejtorin e QKMF-së Besim Beqiraj, për gjithë punën dhe angazhimin”, ka thënë ai.
Ndërsa drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Suna Zajmi-Krasniqi, tha se përmirësimi i kushteve për pacientë është qëllimi kryesor.
“Pajisjet e tilla ndihmojnë shumë në përmirësimin e kushteve për pacientëve, andaj jemi duke u angazhuar që të sjellim më shumë pajisje të tilla”, tha ajo.
Edhe drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Besim Beqiraj, tha se këto pajisje lehtësojnë punën e stafit mjekësor.
“Shumë shpejt do të bëhet montimi i këtyre karrigeve në mënyrë që pacientët t’i përdorin. Me pajisje të tilla lehtësohet edhe puna e stafit mjekësor”, tha ai. /2LONLINE.com/