Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se, përmes telefonit, i dyshuari, banor i Komunës së Vitisë, ka raportuar policinë se pasi ka dalë nga banka ku ka tërhequr para ne vlerë prej 32 mijë euro, iu janë ofruar dy persona të panjohur dhe ia kanë grabitur parat.
Të njëjtit, sipas deklaratës së tij, janë larguar në drejtim të fshatit Smirë me një veturë “mercedes ngjyrë e zeze”, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Zëdhënësi Hashani tha se Policia e Kosovës, Njësia e Hetimeve nga stacioni policor i Vitisë, pas një pune operative mirë të organizuar, mbledhjes së fakteve dhe dëshmive në teren, ka arritur që shpejt të gjejë fakte të qëndrueshme se i dyshuari ka lajmëruar rrejshëm.
“Është vërtetuar se ai kishte tërhequr nga banka tridhjetëmijë euro të cilat ia ka dhënë një personi të cilit besohet se ia kishte pasur borxh prej dy viteve. I dyshimti është intervistuar në bazë të procedurave ligjore. Me urdhër të Prokurorit të shtetit rasti procedohet në gjykatë në procedure të rregullt me kallëzim penal “Lajmërim i rrejshëm”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Ismet Hashani /2LONLINE.com/