Lirije Kajtazi, Kryetare e Forumit të Gruas së LDK dhe deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përmes një postimi në profilin e saj në facebook, ka reaguar ndaj deklaratës së nënkryetarit të OVL-UÇK-së, Nasim Haradinajt, për ambasadorin amerikan në Kosovë, Greg Delawie, të cilin e quajti “palaço”.
Ja postimi i saj i plotë:
Miku për shqiptarët tradicionalisht ka qenë institucion, vlerë dhe nderë. Fyerja e mikut për shqiptarët ka qenë gjëja më e shëmtuar që mundë t’i ketë ndodhur ndonjë dere. Kanë qenë të mallkuara familjet që kanë fyer dhe prerë në besë miqtë.
Në tregimet e moçme shqiptare, por edhe historiografia jonë e dëshmon këtë mallkim dhe përçmim për ata që prenë në besë dhe i fyen miqtë.
Zakonisht në mes mallkimit është thënë: nuk janë farë e jona. Dhe s’ka se si thotë njeriu ndryshe për Nesim Haredinajn pos se nuk është farë e jona, i cili e fyeu mikun më të madh të shqiptarëve ambasadorin e SHBA-ve Greg Delawie
Forumi i Gruas i LDK e dënon këtë gjuhë fyese dhe denigruese e cila në kohët e fundit ka filluar të jetë gjithnjë e më prezent ndaj miqve të shqiptarëve, ndaj atyre që ndihmuan të çlirohemi dhe po na ndihmojnë të ndërtojmë shtetin, lirinë dhe demokracinë; ndaj miqve amerikan, britanik dhe evropian.
Presidenti Rugova përsëriste thënien e artë të popullit: “nuk mbahet shtëpia pa miq”
Lirije Kajtazi, Kryetare e Forumit të Gruas së LDK dhe deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës