Kryetari i Lëvizjes Qytetare “Vatra”, me seli në Gjilan, Kushtrim Kadriu ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me vazhdimin e pasivizimit të shtetësisë për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Ai poashtu ndihet i shqetësuar dhe i revoltuar me klasën politike gjithëshqiptare për mungesë të reagimit konkret, për ta ndalur një gjë të tillë.
Kadriu ka thënë për Portalin 2LONLINE,com, se pasivizimi i shtetësisë për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës ende po vazhdon. I nisur 12 vjet më parë nga shteti serb, tanimë ndodhet në fazën e fundit të tij.
Ai thotë se deri para ca kohësh ky proces zhvillohej në fshatrat e pabanuara e të dëbuara të shqiptare, ndërsa tani kemi dëshmi vendimet e MPB- së serbe se ky proces ka filluar edhe në pjesët e banuara dhe ato urbane me shqiptarë.
“Ditëve të fundit kam marrë një numër të madh ankesash nga këta banorë, të cilët paraqitën shumë dokumente të dërguara nga MPB- ja serbe, por, fatkeqësisht, ende nuk kemi ndonjë adresë ku mund të ankohemi. Edhe pse, politikanët e Kosovës flasin për shqiptarët e Kosovës Lindore nëpër televizione e nëpër mitingje, deri më tani, ata asnjëherë nuk i përmendën këta shqiptarë në takimet e tyre me liderët serb. Ata nuk bënë asgjë për këta shqiptarë të mbetur nën mëshirën e qeverisë së Serbisë”, thotë Kadriu transmeton 2lONLINE.com.
Sipas tij, është shqetësueses sesi ky proces i spastrimit të Kosovës Lindore nga shqiptarët po ndodh mu në sytë e të gjithëve dhe askush nga politikanët tanë në Kosovë dhe Shqipëri nuk reagon.
“Nuk reagon as bota demokratike për këtë proces të shëmtuar që po ndodh në këtë shekull mu në Evropë. Politikanët e Kosovës e përmendin çështjen e Kosovës Lindore vetëm sa për konsum të brendshëm politik, gjë e cila është tepër e pahijshme dhe e pandershme”, thotë në fund të reagimit, Kushtrim Kadriu, kryetar i Lëvizjes Qytetare “Vatra”. /2LONLINE.com/.