Sot Qeveria e Kosovës ka marr vendim për themelimin e Zyrës për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, e lidhur me këtë, kryetari i Lëvizjes Qytetare “Vatra”, në Gjilan, Kushtrim Kadriu ka thënë se hapja e kësaj zyre në nivel nacional nga Qeveria Hoti, është një hap i qëlluar, por tejet i vonuar pasi që kjo zyre koordinuese do të ishte e nevojshme që të ishte aktive që nga viti 2002, kur edhe filloi dyndja e madhe e shqiptarëve nga Kosova Lindore në drejtim të Kosovës.
“Urojmë që kjo zyre të funksionojë, të ketë rol aktiv e të mos jetë zyre dekoruese apo për qëllime elektorale siç ka ndodhur edhe në të kaluarën. Urojmë që z.Hoti të emërojë një staf të përgatitur e njohës të kësaj çështje meqenëse në të kaluarën po nga qeverisja e LDK-së u emëruan persona jo kompetent të cilët nuk e dinin as nga i binte Lugina e lëre të zgjidhnin ndonjë telashe të asaj ane”, ka thënë Kadriu, i cili një kohë ka qenë edhe koordinator i Zyrës Për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, e hapur në Gjilan, transmeton 2LONLINE.com.
Ai shtoi se nuk pret ndonjë mrekulli nga kryeministri Avdullah Hoti dhe qeveria e tij por uron që të paktën të punoië me seriozitet e të zgjidhë ndonjë nga problemet e shumta me të cilat ballafaqohen Luginasit, andej e këndej kufirit. /2LONLINE.com/