“Sot, me datë 23 nëntor 2019, organizuar nga Lëvizja Qytetare ”Vatra” në koordinim me asambleistët e K.K. në Gjilan, Isa Agushi, Ibish Ibishi e Mefail Jonuzi prezantuam një aktivitet protestues para Hidromoravës”, ka thënë Kushtrim Kadriu kryetar i Lëvizjes “Vatra”.
Ai ka thënë se kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri – Luta dhe Muhamet Suliqi drejtor i “Hidromoravës”, janë përgjegjësit kryesorë për gjendjen kaotike në të cilën ndodhet Gjilani sa i përket furnizimit me ujë.
“Haziri nuk po e ndjenë mungesën e ujit sepse ai nuk jeton në Gjilan, ai po jeton në Prishtinë e Prishtina tani e ka gjendjen mirë të furnizimit me ujë. Luta porosit qytetarët t’i bëjnë lutje Zotit për të na sjellë shiun, tamam po flet si hoxhë, e jo si kryetar komune. Pra, kryetari për t’i ikur përgjegjësisë flet si hoxhë me demek përgjegjësia është e Zotit për ujin e jo”, thotë Kadriu.
Sipas tij, Luta po i ikë përgjegjësisë së tij në hartimin e politikave afatgjate për furnizimin e rregullt me ujë të pijes për qytetin e Gjilanit.
Ibish Ibishi, këshilltar komunal, i kujtoi kryetarit Haziri kompetencat që ai I ka në bazë të ligjit për qeverisje lokale, dhe aty hyjnë edhe përgjegjësitë për furnizim të qytetarëve me ujë. Pra, mos të thotë se kjo çështje është vetëm përgjegjësi e qeverisë, por edhe e Komunës së kryetar I së cilës është ai.
Sokol Haziri, vuri në dukje se kryetari i komunës Lutfi Haziri edhe para 6 vjetëve i pat premtuar Gjilanit se do të kishte ujë të mjaftueshëm, por ende nuk është arritur kjo gjë.
Isa Agushi- këshilltar komunal, theksoi se përpos qytetit, edhe fshatrat kanë mungesë të theksuar të ujit.
Gjithashtu edhe problem tjetër është edhe mos shpërndarja e ujit në mënyrë të barabartë, por po privilegjohen disa lagje ku jetojnë udhëheqësit e Gjilanit.