Në mjediset e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) u mbajt ceremonia e certifikimit të kadetëve të dy kurseve; për Lider Luftarak dhe për Procedurat Shtabore Komanduese.
Në ceremoni ishin të pranishëm: komandanti i KDS, gjeneral brigade Irfete Spahiu, zëvendëskomandant i KDS-së, kolonel Mehmet Lladrovci, zëvendëskomandanti i Brigadës për Reagim të Shpejtë, kolonel Hysen Dreshaj, komandantët e qendrave stërvitore, oficerë e nënoficerë të FSK-së, si dhe përfaqësues të NALT-i (Ekipi Këshillues–Ndërlidhës i NATO-s për FSK-në).
Komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Irfete Spahiu, pasi përshëndeti pjesëmarrësit dhe kadetët, vuri theksin te roli dhe rëndësia e trajnimeve për ushtarakët e FSK-së, pa marr parasysh nivelin dhe njësinë. Ndër të tjera gjeneral Spahiu u shpreh: „Të gjithë pjesëtarët e FSK-së duhet të jenë të përgatitur për detyra të reja, si në menaxhim, udhëheqje por edhe në disiplinë, pra këto janë vetëm disa nga vetitë që duhet t’i posedojë ushtaraku. Ju përgëzoj për një angazhim të tillë si dhe ju mirëpresim në trajnimet tjera avancuese në KDS”. Po ashtu gjeneral Spahiu ju drejtua pjesëtarëve të Kursit të Liderit Luftarak, me fjalët se „ky Kurs ka për qëllimi të ju përgatitë se si bëhet kalimi i përgjegjësive individuale në ato udhëheqëse dhe drejtuese në radhët e FSK-së“.
Ndërkaq, Kursi për Procedurat Shtabore Komanduese fokusohet në lidhje me zhvillimin e elementëve bazë që mundësojnë kalimin nga aftësitë dhe përgjegjësitë individuale në aftësi dhe përgjegjësi si staf në radhët e FSK-së.
Kadetët gjatë kurseve ndoqën disa module trajnimi si: Modulin e Lidershipit dhe Modulin e Luftimit, ku zhvilluan shumë aktivitete si teorike ashtu edhe praktike, të cilat në fund kulmuan me një ushtrim fushor.
Vlen të theksohet se këto ishin kurset e para për Gjeneratën e kadetëve 2019. Në Kursin për Lider Luftarak morën pjesë 44 pjesëtarë, nënoficerë të FSK-së, ndërsa në Kursin për Procedura Shtabore Komanduese morën pjesë 12 pjesëtarë, oficerë e nënoficerë të lartë të FSK-së.
Në fund, të gjithë pjesëmarrësit u certifikuan si dhe u ndanë mirënjohje për kursantët e dalluar nga komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Irfete Spahiu.