Në një kohë kishte qenë një hajn e matrapaz, që s’kishte lënë gja pa bërë. Njëherë, përderisa ishte duke shkuar rrugës këmbë, e takon një hoxhë, i cili po kalonte andej pari, me kalë. Pasi u përshëndeten me hoxhën, hajni e matrapazi iu drejtua hoxhës.
– A bre hoxhë , po du me të pyet , a t’ze haku i tjetrit menjëherë?
Hoxha pa një, pa dy, iu përgjigj hajnit.
– Jo bre bir, shkon kohë për të zënë haku i tjerëve.
Atëherë hajni iu drejtua hoxhës.
– Zbrit nga kali he nanēn t’a lujsha!
Hoxha kur e pa punën pisk, zbriti nga kali dhe hajni i hipi kalit e iku. Hoxha i mbetur në këmbë vazhdoi rrugën në drejtim të hajnit.
Mirëpo, hajni nuk kishte shkuar gjatë dhe ishte rrëzuar nga kali, duke thyer këmbë e krah, sa mezi kishte shpëtuar gjallë, ndërsa kali po e priste te koka.
Hoxha duke ecur këmbë, arriti te hajni, i cili kur e pa hoxhën, mezi po nxirrte zë, iu drejtua hoxhës.
– Pse bre hoxhë m’rrejte, se nuk të zë haku menjëherë, por vonon?
– E sheh që m’zuri menjëherë?
– Eu more bir, ia ktheu hoxha, ky nuk është haku im. Ky është hak i mëhershëm, e këtë të sotmën do ta paguash më vonë…!
Hoxha i hipi kalit dhe vazhdoi rrugën, ndërsa për hajnin as sot e atë ditë nuk dihet ku ka ngelur…!
Prandaj, nganjëherë një punë niset sherr, e del hair, kurrë s’i dihet!
Dikush ecën këmbë, e dikush mbetet i vrarë sa të jetë gjallë…
Ose, populli do të thoshte.”Nëse ia bënë gropën tjetrit, bie vet në të”!
/Nehat M. Ramadani/