“Në 25-vjetorin e Betejës, ndezëm dritat e tri shkronjave të arta, UÇK, të cilat nga sonte do ta ndriçojnë kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Gjilan”, ka thënë Ahmet Isufi, ish komandant i Zonës Operative të Karadakut, të UÇK-së, i cili mori pjesë në aktivitetet e sotme në kuadër të shënimit të 25 vjetorit të Epopesë së Zhegocit, përfshirë edhe në përurimin e monumentit “Porta e Heronjve – UÇK”, në Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan, transmeton Portali 2LONLINE.
Një çerekshekulli nga Beteja e Zhegocit, ngjarje kjo e cila bëri kthesën e madhe historike.
“Në këtë përvjetor jubilar, me familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë e qytetarë, bëmë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Gjilan, tek lapidari në Zhegoc, gjithandej pranë pllakave përkujtimore në vendin e rënies të dëshmorëve në malësinë e Zhegocit”, ka thënë isufi.
Ai bëri të ditur se në Kishnapole morën pjesë në ditën e shkollës, në të cilën edukoi breza pedagogu dhe luftëtari i orëve të para të lirisë, dëshmori i kombit, Nijazi Osmani. Ndërsa në Teatrin e Qytetit në Gjilan, u mbajt Akademia Përkujtimore për të kujtuar rëndësinë historike të Betejës së Zhegocit.
“Në 25-vjetorin e Betejës, ndezëm dritat e tri shkronjave të arta, UÇK, të cilat nga sonte do ta ndriçojnë kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Gjilan. Në mbrëmje vonë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Dega në Gjilan, ndau mirënjohje për disa luftëtarë në shenj nderimi e mirënjohje për kontributin e tyre për lirinë e Kosovë”, ka thënë tutje, ish komandanti i ZOK-ut, të UÇK-së, Ahmet Isufi.
Ai theksoi se në çdo përvjetor historik, përveç përkujtimeve e nderimeve, duhet të bëhen vepra që rrisin vlerën e historisë sonë dhe duhet respektuar e ndarë mirënjohje për ata që kontribuuan për ditët e lirisë.
“Lavdi dëshmorëve të rënë në Betejën e Zhegocit. Mirënjohës përjetë, gjithë atyre që u angazhuan në periudha të ndryshme të historisë për çlirimin e Atdheut”, ka thënë Isufi. /2LONLINE/