Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili tha sot se është i përkushtuar që të gjithë qytetarët e vendit të kenë qasje të barabartë në shërbime shëndetësore cilësore, në çdo vend dhe kohë, pa u përballur me vështirësi financiare.
Ai deklaroi kështu në shënimin e Ditës Botërore të Shëndetësisë, e cila këtë vit ka për temë: “Mbulimin Shëndetësor të Përgjithshëm”, me moton: “Shëndet për të gjithë”, që u organizua nga Ministria e Shëndetësisë, me mbështetjen e Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Prishtinë.
Ministri Ismali tha se mbulimi shëndetësor i përgjithshëm, është një përcaktim politik, por dhe më tepër se aq, kërkon vizion, guxim dhe maturi dhe se është një ndërmarrje komplekse me sfida nga me të ndryshmet që ndër të tjera kërkon një planifikim dhe tranzicion të koordinuar të sistemit shëndetësor.
“Në këtë drejtim Kosova, këtë vit e shënon Ditën Botërore të Shëndetit me iniciativa konkrete, dhe me rezultate të para, modeste, por të rëndësishme dhe të qëndrueshme drejt mbulimit shëndetësor të përgjithshëm. Kjo lëvizje përpara në sektorin e shëndetësisë është reflektuar edhe në Raportin e Progresit të publikuar ditë më parë nga Komisioni Evropian, ku thuhet se Kosova ka miratuar disa udhëzime administrative dhe një strategji komunikimi në mbështetje të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor”, theksoi ai.
Ministri Ismaili tha se ka ngritur nivelin e llogaridhënies në Ministrinë e Shëndetësisë dhe po punohet në përmirësimin e menaxhimit të ShSKUK-së dhe rregullimin e sektorit farmaceutik dhe kemi konkretizuar Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, duke bërë transparent hapat që duhen ndërmarrë më tutje.
Në këtë shënim, kryemnistri Ramush Haradinaj, ka përgëzuar Ministrin Ismaili për fillimin e ndryshimit të gjendjes në shëndetësi.
“Është përgjegjësi e secilit prej nesh që t’i krijojmë zgjidhjet në vendin tonë, në mënyrë që të trajtohemi si duhet në vendin tonë. Tema mbi shëndetësinë është me rëndësi të madhe dhe duhet trajtuar në përmbajtje, në mënyrë që problemet tjera të dalin në dritë”, tha Kryeministri.
Duke vlerësuar situatat nëpër të cilat kalon sektori i shëndetësisë, kryeministri Haradinaj atë nëpër të cilën përballen mjekët dhe personeli teknik, për të cilët tha se janë heronjtë e këtij vendi; ndërkohë që situatë tjetër tha ai, është infrastruktura në shëndetësi.
“Tani e shoh një seriozitet në përballje me gjendjen në shëndetësi dhe ftoj të gjithë partnerët edhe ata vendorë edhe ndërkombëtarë, që ta përmirësojmë gjendjen në shëndetësi”, tha kryeministri Haradinaj.
Dr. Ardita Tahirukaj, shefe e Zyrës së OBSh-së në Prishtinë, tha se shëndeti është pasuria jonë më e madhe dhe nuk duhet të shihet si një luks i cili mund të gëzohet vetëm nga më të privilegjuarit.
“Ne të gjithë përfitojmë në aspektin social, ekonomik dhe nga ai mjedisor nga një botë e cila synon shëndet për të gjithë. Është koha që së bashku të përshpejtojmë përpjekjet tona për të arritur qëllimin e përbashkët për mbulim shëndetësorë të përgjithshëm edhe në Kosovë”, tha dr. Tahirukaj.
Në debat kanë kontribuar edhe ëprfaqësues bga Kuvendi i Kosovës, ambasadat dhe misionet ndërkombëtare, partnerët kontribues në shëndetësi dhe të tjerë.