Nënkryetari i Kamenicës Fatmir Matoshi, së bashku me Drejtorin Agim Bucoli dhe asamblistin Zekirja Sermaxhaj, kanë pritur sot në takim Drejtorin e Islamic Relief në Kosovë, Ramadan Berisha me bashkëpunëtorë.
Qëllimi i këtij takimi ishte nënshkrimi i marrëveshjes për realizimin e projektit të ujësjellësit në Berivojcë , lagja matanë lumit dhe të një intervenimi në pjesën e epërme të Berivojcës.
Nënkryetari Fatmir Matoshi ka falënderuar drejtorin Ramadan Berisha dhe Organizatën Islamic Relief, për mbështetjen e vazhdueshme që po i bënë Komunës së Kamenicës dhe qytetarëve të saj. “ Paralagje e Kamenicës edhe deri në këtë kohë kanë mbetur e pa kyçur në ujësjellës, ku jeta e banorëve ka qenë shumë e rëndë, jemi të vetëdijshëm se buxheti komunal nuk i përballon gjitha kërkesat, prandaj jemi nëpër zyrat e organizatave të ndryshme për të kërkuar më shumë fonde për Kamenicën. Një mundësi të këtillë po na ofron Islamic Relief, ndërsa kuvendi komunal i ka ndarë gjithashtu 8 mijë e dyqind euro për këtë projekt” ka thënë nënkryetari Matoshi.
Drejtori i Islamic Relief Ramdan Berisha ka uruar komunën për këtë projekt duke u zotuar se nuk do të jetë i fundit. “20 mijë euro për këtë ujësjellës vijnë nga Islamic Relief – Zyra në Zvicër dhe ne e kemi përkrahur projektin duke parë nevojën që kanë banorët e Berivojcës për furnizim me ujë të pijshëm. Ne kemi bashkëpunim të mirë me komunën e në veçanti me nënkryetarin Fatmir Matoshi dhe asamblistin Zekirja Sermaxhaj, me të cilët jemi në kontakt të vazhdueshëm për projektet e Kamenicës” ka thënë Ramadan Berisha.
Implementimi i këtij projekti do të sigurojë ujë të pijshëm për 83 familje të Berivojcës dhe ka koston e rreth 30 mijë eurove.