U.D i Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së z. Bajram Fetahu priti sot në takim Drejtorin e Departamentit për Siguri Publike në Misionin e OSBE-së në Kosovë z. Edward Anderson me bashkëpunëtorë.
Në kuadër të këtij takimi zyrtarët e IPK-së pranuan një donacion prej 33 librave profesional nga Misioni i OSBE-së.
Në mungesë të librave profesional në gjuhën shqipe që mbulojnë fushën e mbikëqyrjes policore dhe shkencës së menaxhimit policor, ky donacion i titujve profesional në gjuhën angleze konsiderohet i rëndësishëm për fuqizimin e kapaciteteve profesionale të punonjësve të IPK-së.
Librat që IPK pranoi donacion sot e që do të jenë pjesë e bibliotekës së Inspektoratit trajtojnë tema të mbikëqyrjes policore, fuqizimit të integritetit policor dhe luftimit të korrupsionit, hetimit të rasteve të përdorimit të forcës nga zyrtarët policorë (duke përfshirë edhe forcën vdekjeprurëse), policimit në bashkësi etj.
Furnizimi me këto libra pritet të ketë ndikim pozitiv në ngritjen e nivelit të profesionalizimit të IPK-së duke fituar njohuri të reja për fushat e lartcekura por edhe në aspektin e realizimit të aktiviteteve të natyrës preventive bazuar në qasje shkencore dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Zyrtarët e Inspektoratit Policor të Kosovës falënderuan për përkrahjen që misioni i OSBE-së është duke dhënë në vazhdimësi për IPK-në në ngritjen e kapaciteteve profesionale. /2LONLINE/