Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) në bashkëpunim me ICITAP-in amerikan dhe CIDS-in (Center for Integrity in the Defense Sector – Qendra për Integritet në Sektorin e Mbrojtjes) organizoi në Prizren konferencën rajonale dy ditore me temën “Fuqizimi i bashkëpunimit të shërbimeve të kontrollit të brendshëm në Ballkanin Perëndimor përmes shkëmbimit të praktikave të mira”.
Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin zyrtarë të lartë nga institucionet homologe të mbikëqyrjes policore të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut e që njëherit janë edhe anëtarë të Forumit Rajonal të Agjencive Mbikëqyrëse Policore.
Pjesëmarrës në këtë konferencë ishte edhe Atasheja e ICITAP-it pranë Ambasadës Amerikane në Kosovë znj.Kimberly Riffe dhe përfaqësuesit e ICITAP-it nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Ndër temat e trajtuara gjatë punimeve të konferencës ishin ato që ndërlidhen me fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve të kontrollit të brendshëm të vendeve të rajonit lidhur me përgjegjshmërinë dhe integritetin e policisë .
Pjesë e diskutimit të konferencës ishin edhe planifikimi i aktiviteteve të përbashkëta që pritet të realizohen në kuadër të Forumit Rajonal të Agjencive Mbikëqyrëse Policore që u themelua në Prishtinë verën e vitit të kaluar si dhe pati diskutime për draft statutin e këtij Forumi.
Nga ky takim u shkëmbyen shumë përvoja dhe ide për të avancuar bashkëpunimin dhe fuqizimin e integritetit në fushën e kontrollit policor.
Në mbyllje të konferencës Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së z. Kushtrim Hodaj falënderoi delegacionet e agjencive homologe për pjesëmarrjen dhe kontributin gjatë punimeve të konferencës dhe propozoi hartimin e një Plani të aktiviteteve të përbashkëta për periudhën në vazhdim në kuadër të angazhimeve të Forumit Rajonal të Agjencive Mbikëqyrëse Policore. Propozimi mori aprovimin nga të gjithë dhe pjesëmarrësit u pajtuan të parashihen aktivitete si: takime të rregullta nga organizatat mbikëqyrëse policore të vendeve të rajonit në kuadër të Forumit Rajonal të Agjencive Mbikëqyrëse Policore organizimi i trajnimeve të përbashkëta në mes agjencive mbikëqyrëse policore nga vendet e rajonit, krijimi i programeve të shkëmbimit të përvojave të mira, inspektimeve të përbashkëta etj. /2LONLINE/