Në ndeshjen e fundit në kuadër të xhiros së 23-të, Kf. Drita ka shënuar fitore në shtëpi, duke mposhtur Drenicën me rezultat 3:1.
E ky rezultat solli plus tri pikë të reja për bardhë e kaltërtit, me anë të golave të shënuar nga Kastriot Rexha 4’, Liridon Leci 10’ dhe Xhevdet Shabani 62’.
Me këtë fitore Kf. Drita arrin shifrën e 41 pikëve në tabelën e klasifikimit, duke u renditur në pozitën e dytë me dy pikë me pak se vendi i parë dhe tri pikë me shumë se vendi i tretë.
E kjo fitore si duket ka shtuar oreksin e tifozëve të zëshëm të Dritës, ‘Intelektualëve’, transmeton 2LONLINE.com
Kjo pasi ata në mënyrë të organizuar e të mobilizuar do të udhëtojnë për në Gjakovë. Në përballjen e ardhshme, Kf. Drita takohet me Kf. Vllaznimi në Gjakovë këtë të diel.
“Ne jemi gati për të dielën, Drita ka nevojë më shumë se kurrë për ne dhe ne do ta dëshmojmë edhe njëherë si në kohë të vështira si të mira se jemi pranë saj”, ka thënë shkurtimisht Taulant Byqmeti për 2LONLINE.com.
Për këtë ndeshje, “Intelektualët’ në faqen zyrtare në rrjetin social ‘Facebook’ kanë postuar një tekst tejet motivues e përkrahës për klubin e zemrës. E për ta rritur adrenalinën tek tifozët e motivin te lojtarët dhe klubi, tekstin e kanë nisur me titullin: |Të dielën është dita “D”|.
Ndër të tjera, në të shkruan:
“Drita është më shumë se klub, është familje dhe shtëpia jonë e dytë. Ne nuk kemi kërkuar asnjëherë asgjë, e tash ka ardhur koha të marrim atë që e meritojmë, atë që na takon. Lojtarët e klubit e kanë kuptuar peshën e fanelës dhe emrin e klubit Drita.
Ne do të mobilizohemi që t’a mbështesim Dritën, si gjithmonë, gjithnji e përgjithmonë!”
/Elife Sherifi/