Inskenim i një tërmeti dhe evakuimi I nxënësve dhe personelit të shkollës teknike “Jonuz Zejnullahu”, ka qenë aktiviteti i zhvilluar sot, i organizuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës në Viti, me që rast kanë marrë pjesë edhe institucione të tjera nga AME-ja, QKMF, policia e Kosovës, Njësia e Zjarrfikësve, Kryqi i Kuq etj.
Qëllimi i këtij ushtrimi ishte ngritja e shkathtësive si dhe vetëdijesimi në fushën e kërkim shpëtimit, evakuimi dhe menaxhimi i situatave aksidentale deri në nivelin e shkallës së mesme të Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit dhe subjekteve të tjera.
Naser Haziri nga Zyra komunale për Emergjencë, pranë Drejtorisë së Shërbimeve Publike, theksoi se qëllimi ynë i përbashkët është të koordinojmë dhe veprojmë brenda ligjit për fatkeqësitë natyrore, me që sipas udhëzimit administrativ për menaxhimin e integruar të situatave emergjente, parashihen organizime të aktiviteteve të tilla.
Nga afër këtë ushtrim e ka përcjellë edhe kryetari i komunës së Vitië Sokol Haliti, i cili mes tjerash tha se ushtrimi ishte mirë i realizuar, ku u treguan shkathtësitë e mekanizmave të përfshirë ne ketë aktivitet, në evakuimin dhe shpëtimin e nxënësve dhe personelit, si dhe u tregua gatishmëria dhe cilësia për reagim në situata të fatkeqësive natyrore, siç është tërmeti.
“Ky ushtrim do të ndikoj shumë pozitivisht në vetëdijesimin edhe të nxënësve dhe personelit për të reaguar, por edhe qasjes karshi situatave emergjente”, tha kryetari Haliti.
Hetem Jakupi, komandant i Njësisë së Zjarrfikësve në Viti, u shpreh se gjithnjë janë të gatshëm për reagim si në situata kundër zjarrit, po ashtu edhe në ato të fatkeqësive natyrore dhe ushtrimet e tilla janë shumë të domosdoshme.
Njazi Miftari, kryesues i Divizionit të Rreziqeve pranë AME-së, e vlerësoi ushtrimin e sotëm dhe e cilësoi si shumë të rëndësishëm për faktin se kjo zonë është e njohur si zonë tektonike dhe vetëdijesimi rreth rreziqeve nga tërmeti janë shumë të nevojshme, si për nxënësit po ashtu edhe për qytetarët.
Komandanti i stacionit policor në Viti, kapiten Afrim Halili, tha se edhe për policinë, ushtrimet e përbashkëta me institucionet tjera, janë shumë të mirëseardhura dhe ushtrimi i sotëm është realizuar suksesshëm.
Ushtrimi “Evakuimi 2023”, u realizua në tri faza, duke përfshirë fazën e përgatitjes, fazën e zbatimit dhe atë të pas ushtrimit analizën e gjithë ushtrimit. /2LONLINE/