Shkruan: Fatmir Kastrati
Si shoqëri, fëmijëve që janë me plot entuziazëm për mësim dhe shkollë, po ashtu edhe fëmijëve që nuk kanë interesim të madh për shkollën, ua servojmë ndër vite thënien “Shkolla të bon budallë”. Shkollës nuk ia ka pa hajrin askush“
Nga kjo dhe shumë situata të ndryshme shteti duhet të mendoj se si duhet të parandaloj gjërat e tilla që në thelb përmbajnë më shumë se sa një shaka apo shprehje të vrazhdë. Nëse veç është interes i shtetit, me përmirësua gjendjen.
Këtu rol të madh ka prindërimi. Ky proces duhet të jetë një nga reformat në arsim. Ku shteti planifikon një plan rreth asaj se si prindërit duhet të flasin dhe bisedojnë me fëmijët në mosha të caktuara. Si t’ju flitet për shkollën, kulturën, moralin dhe shumëçka tjetër. Të vetëdijesohen prindërit rreth informatave që u lejojnë fëmijëve të tyre, çka u servohet atyre, sa ata kanë qasje në informata që janë të dëmshme? Përdorimi i tepërt i telefonit, një nga faktorët kyç rreth mungesës së koncentrimit. Pra, në vazhdimësi të organizojnë trajnime apo punëtori ku prindërit në vazhdimësi mësojnë rreth mënyrave më të mira për rritjen dhe shkollimin e fëmijës së tyre.
Për akterët e përfshirë në sistemin arsimor, duhet të vlejë shprehja që para interesit personal duhet të vlejë interesi shtetëror. Nga kjo secili merr atë që e meriton dhe angazhohet në mënyrë më të mirë, për shtetin.
Megjithëse, ne mësimdhënësit jemi një rezultat i politikave dhe keq menaxhimit të tërë sistemit arsimor ndër vite, prapë nuk është që ne jemi pa faj. Kemi një pjesë të fajit për disa arsyeje. Kryesore ndër to është që nuk kemi luftuar për rolin dhe rëndësinë tone që kemi, kemi pranuar të heshtim edhe atëherë kur e vërteta ka qenë në anën tonë. Një pjesë e jona, lehtë pranojmë të bëhemi vegla të udhëheqësve arsimor dhe politik, pastaj nuk mund të reagojmë edhe atëherë kur e vërteta dhe arsyeja është në anën tonë. Kuptohet, nëse vec jemi ata që dëshirojmë të reagojmë.
Ne duhet të jemi ata që luftojmë ashpër me gjithë akterët e përfshirë në arsim për kushte më të mira, për meritokraci dhe përzgjedhje meritore. Nëse ne bëhemi kritik ndaj vetes, ndaj dukurive negative dhe servilzimit në shkolla, atëherë ne kemi për ta krijuar një sistem ku meritokracia ka me mposht idiokracinë. E nga kjo, në udhëheqje do të vijnë kuadro që njëmend dëshirojnë arsim cilësor dhe përkrahje për mësimdhënësit.
Pra, ne për të ndryshuar lartë, duhet të fillojmë nga poshtë, pra prej vetës duke vazhduar tutje. Ndërsa nëse shteti dëshiron të ndryshoj poshtë duhet të filloj nga lartë, nga vetja e duke vazhduar tutje. Nëse veç është interes i shtetit, për të ndryshuar rehatinë.
Hartimi i politikave shtetërore për arsimin duhet të bazohet në interesin shtetëror dhe jo personal. Shteti duhet të krijoj sistemin ku meritokracia është çelësi i gjithë funksionimit udhëheqës e jo idiokracia. Në një sistem meritor, shteti i jep mundësi personave kompetent të marrin atë që meritojnë. Persona që kanë aftësinë dhe guximin për të marr hapa të mëdhenj të cilit para interesit personal dhe politik e vendosin atë shtetëror. Një sistem i tillë, ndryshon mendësinë dhe gjendjen tonë.
Kjo politikë ndikon drejt për së drejti në Universitetet tona, ku akterët e përfshirë aty janë kuadro të mirëfillta nga të cilët krijohen profesionistët që të nesërmen do t’i ndihmojnë shtetit. E jo kuadro të cilët i ndihmojnë politikës dhe janë të rehatuarit e saj.
Universitetet tona duhet të jenë modelet tona, aty nga ku nis dhe krijohet gjithçka. Për fat të keq një pjesë e madhe e të përfshirëve në to, shërbejnë vetëm si model se si nuk duhet të jetë një profesionist arsimor. Ndoshta nuk është edhe pak.
Kur të rregullohen universitetet, shteti përgatit planin për orientimin në karrierë, ku nxënësit tanë qysh në shkollën fillore testohen rreth njohurive të tyre dhe pastaj orientohen nëpër profesionet të cilët u përshtatet më së shumti. Niveli më i lartë i nxënësve duhet të orientohet te Fakulteti i Edukimit. Të përzgjedhurëve, që priten të jenë nxënësit më të mirë, u përgatit një sistem të studimeve që mësimi teorik të kthehet në mësim praktik. Ku profesorët të jenë meritorët, që nxisin studentët të merren me problematika të ndryshme, hulumtime të kohës nga të cilët nxjerren rezultate për sistemin tonë. Pa dyshim që nga ky sistem do të dalin mësimdhënës të aftë dhe pragmatik që i shërbejnë politikave shtetërore për arsimin.
Udhëheqësit arsimor duhet të jenë ekspert të fushave, të cilët ndjekin planin zhvillimor nga shteti e jo nga shefi i tij i cili udhëzon për interesa partiake. Kjo mund te vie kur transparenca dhe përzgjedhja bëhet pa anime politike. Monitorimi dhe mentorimi i tyre bëhet nga të përzgjedhurit adekuat, ku synimi kryesor është cilësia.
Kur shteti të krijoj një sistem ku meritokracia është baza e çdo gjëje, atëherë edhe mësimdhënësit do të jenë baza e ndryshimit në shkolla. Mësimdhënësit nuk do te jenë personat që heshtin ndaj çdo gjëje, pasi që nuk do të frikësohen nga politika dhe njerëzit e tjerë që i kanë sistemuar në vendet e punës.
Qasja që “Mësimdhënësit duhet të testohen dhe të largohen të gjithë” tregon më së miri që këtu nuk ka interes për të ndryshuar diçka. Qëllimi i vlerësimit nuk është ndëshkimi por matja dhe përkrahja për të planifikuar diçka për të ardhmen. Në fund të fundit, supozojmë që gjatë vlerësimit të mësimdhënësve, mësimdhënësi i vlerësuar nga sistemi ynë arsimor si personi adekuat, nuk i plotëson kriteret e duhura atëherë si mund po ky sistem arsimor që ka mundësuar atë të ushtroj profesionin, të riaftësoj atë pas një kohe. Cili është niveli i besimit në profesionalizmin e sistemit në këtë rast?
Mësimdhënësit duhet t’i krijohen kushte të favorshme pune, që pastaj nga ai të kërkosh përgjegjësi dhe llogaridhënie. Pse shteti të mos bëj hulumtime rreth nevojave që kanë mësimdhënësit dhe ti ndihmoj ata me përgatitje profesionale në vazhdimësi. Shembull, mësimdhënësi i cili është njohës i shkëlqyeshëm i lëndës së tij, mund të ketë vështirësi në anën pedagogjike. Sa mësimdhënës mund të ketë të këtillë? A u ndihmon shteti atyre?. Angazhimi i ekspertëve për zhvillim profesional është i mirëseardhur edhe gjatë procesit mësimor por edhe në përfundim të tij.
Mos të harrojmë, për të ndryshuar lartë, duhet të fillojmë nga poshtë, pra prej vetës duke vazhduar tutje. Ndërsa nëse shteti dëshiron të ndryshoj poshtë, duhet të filloj nga lartë, nga vetja e duke vazhduar tutje. Sistem ku sundon meritokracia, gjithkush merr atë që meriton dhe pranohet me fatin e tij. A është ky interesi ynë i përbashkët?
Po meritorkacisë, jo idiokracisë. Për shtetin, për të ardhmen! Ua kemi borxh atyre që para interesit personal vendosën atë kombëtar. /2LONLINE/