Ibish Ibishi, Shef i Grupit të Këshilltarëve të AAK-së, në Kuvendit Komunal të Gjilanit, në seancën e sotme të kuvendit komunal të Gjilanit, ka kërkuar të futet në rend dite iniciativa e AAK-së për të emërtuar Stadiumin e Qytetit të Gjilanit me emrin e Selami Osmanit – BEZI. Një propozim i tillë do të bëhet edhe në adresë të kryetarit të komunës.
Ibishi ka thënë se Gjilani tani më po njihet edhe në arenën ndërkombëtare si qytet i sportit dhe sportdashësve dhe si komunë duke u mbështetë edhe nga organet tjera shtetërore ka nis të mendoj seriozisht edhe për sportin dhe sportistët gjilanas.
Sipas tij, krijimi i infrastrukturës dhe terreneve sportive, është i nevojshëm dhe kërkon urgjencë për shkak të kritereve të përcaktuara edhe nga institucionet ndërkombëtare sportive. Meqë punimet për ndërtimin e stadiumit të qytetit kanë nisur, dhe shpresojmë se shumë shpejtë edhe do të përfundojnë, mendojmë se është koha që të iniciojmë emërtimin e stadiumit të qytetit prandaj ne grupi i këshilltarëve të AAK-së propozojmë që stadium i qytetit të emërohet me emrin “Selami Osmani” – BEZI”, ka thënë Ibishi.
Sipas tij, kjo bëhet pasi që angazhimi dhe kontributi i tij dekada me radhë dhënë për sportin si dhe sportistët gjilanas e në veçanti për futbollin gjilanas është i njohur. “Me këtë propozim mendojmë se edhe nderojmë figurën e tij si dhe sportin gjilanas. Andaj, kërkojmë nga Kuvendi Komunal i Gjilanit, që të miratoj këtë propozim apo iniciativë dhe ta fus në rend pune në këtë seancë, në pikën e rendit të punës në të ndryshme, në mënyrë që kryetari i komunës së Gjilanit, të procedoj më tutje këtë iniciativë krahas debateve, diskutimeve me qytetarë dhe me shoqëri civile”, ka thënë Ibishi.