Nga: Izmi Zeka
Sa më shumë që krijohet distancë historike dhe ngjarjet të shihen nga fryma e fakteve, individualitetet historike marrin përmasat reale të para edhe mbi kontekstet kohore të prerjeve të mëdha që ndryshuan rrjedhën e zhvillimeve në Kosovë.
Në këtë shkrim do të mundohem të hedh dritë për aq sa ka fakte por edhe nga syri i vlerësimit konsistent të ngjarjeve të fund shekullit XX e të lidhura edhe me figura që përbëjnë tërësinë e luftës çlirimtare të Kosovës në luftë ndaj Serbisë dhe lirimit përfundimtar nga pushtimi 100 vjeçar.
Hoxha Jonuz Zejnullahu nga Vitia, një portret që shikuar nga brymimi i tij ruan pjesë të hoxhallarëve si rilindëset Hoxhë Hasan Tahsini, Hoxhë Ymer Prizreni, Haxhi Zeka, Hoxhë Kadri Prishtina por edhe Mulla Idriz Gjilanit e Haki Efendi Sërmagjës.
Historiku i jetës së tij, shkollimi për fe, ngritja në një qytet të vogël si Vitia janë pjesë e ngritjes intelektuale për të njohur më shumë dhe pajisur me kulturën Islame. Studimet e larta të vazhduara në Fakultetin e Drejtësisë (Sheriatin) në Damask të Sirisë, kaptinë e veçantë e formësimit të tij njerëzor por edhe i njohjes së kulturës arabe dhe filozofisë perëndimore si dy kultura që pajisën dukshëm zhvillimin dhe dijen e këtij luftëtari që në momente kritike i doli zot vendit.
Vitet e pas 90-ta me rëniet dhe ngritjet, rezistencën shqiptare qoftë edhe me organizime të ndryshme ruanin frymën atdhetare që ishte e sintetizuar me vetë jetën dhe idealet e qytetarëve të Kosovës si ide, frymëzim etj,..
Medreseja, studimet në Damask dhe shërbimet nëpër xhami të ndryshme ishin vetëm një pjesë ku Hoxhë Jonuzi edhe pse në moshë, i ruajti thëniet profetike të Mulla Idriz Gjilani se ”S’ka fe pa atdhe” , “Të ndihmojmë njëri-tjetrin me fjalë, me penë, me pasuri, të duhemi si vëllezër”, “Pa një atdhe të lirë feja nuk mund të mbahet kurrë, nuk mund të ushtrohet. Lexoni veprat e të diturve dhe të urtëve sa e mirë, për t’u bindur sa e kuptueshme është feja Islame, kur shpjegohet shqip, në gjuhën e Zotit për shqiptarët”.
Këto që u thanë më lartë do të ishin përkufizimi historik i Hoxhë Jonuzit që do ta përcjellin deri në momentet e fundit të jetës së tij, kur lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës merr përmasat e luftës për çlirim në raport me pushtuesin historik siç ishte Serbia.
Ishte vetëm 24 vjeçar kur lufta në Kosovë, masakrat serbe merrnin përmasat e gjenocidit. Hoxhë Jonuzi bashkë me shumë luftëtar në Brigadën ”138 Agim Ramadani” në Kosharen që tashmë është sinonim i thyerjes së kufirit Shqiptaro-Shqiptar e bëjnë luftën e strukturuar përball forcave serbe.
Kemi mësuar, lexuar për Mic Sokolin se në vitin 1881 në betejën e Slivovës në mes forcave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe forcave të Perandorisë Osmane, ai për të ndalur hovin dhe ngritur moralin luftarak hidhet mbi top ku edhe gjen rënien por jo edhe luftën e lidhjes Shqiptare.
Ngjashmëri e tillë por në kohëra krejt të ndryshme e kemi edhe të Hoxhë Jonuzi i cili në luftën e Koshares më 5 maj të vitit 1999, tek vendi i quajtur ”Rrasa e Zogut” , zonë kufitare, në rrethin e Gjakovës, me bomba në duar sulmoi bunkerin serbë duke hedhur në ajër shumë ushtarë serbë. Plagët që mori ishin vdekjeprurëse edhe pse bashkëluftëtarët e bartën deri në Bajram Curr por nuk arriti ti mbijetojë plagëve të marra.
Diçka e veçantë, biblike e kohës së ringritjes së një populli për liri. Ky akt nga të rrallët e historisë shqiptare mund të analizohet në shumë dominione si kombëtare, fetare, filozofike po ashtu edhe nga tradita, trashëgimia familjare etj.
Edhe këto vargje të poetit e tregojnë qartësinë kombëtare të heroit të sotëm, idealizmin që kur merret parasysh mosha, bindja, padyshim se i kalon përmasat e një të riu që jetën e kupton vetëm të lirë dhe jo të robëruar.
Pjesë e shkëputur nga poezia Heroi i Koshares
”Në krye të xhamisë flet nji imam
Djal i ri e hoxhë i rrallë
Më i ndëgjoni burra këto fjalë
Sod po due diçka me ju thanë
Në xhami ma nuk muj me dalë
As xhuma ma nuk muj me falë
Detyrë kemi o pushken me marrë…
Mos ja mësyni ma xhamisë
Unë po i veshi teshat e ushtrisë
O unë po shkoj në UÇK-e
O pa vatan jo nuk ka fe. ’’
Mexhid Yvejsi, Gjakovë
Si predikues fetar dhe atdhetar ruan në mënyrë konsistente filozofinë e Mulla Idriz Gjilanit se “S’ka fe pa atdhe” dhe shumë atdhetarëve të tjerë që ranë në kohëra të ndryshme në luftë për liri dhe çlirim kombëtar.
Akti sublim te rrasa e Zogut, zonë kufitare, rikthen historinë e Oso Kukës me bashkëluftuar në kullën e Vraninës të vitit 1861 dhe Mic Sokolit në luftën e Slivovës e vitit 1881.
Sot, kur po shkruajmë, liria po merr kuptim mbi gjakun e derdhur të heronjve të Kosovës, mbi dijen dhe projektimin e tyre, e mbi të gjitha amanetin që na lanë për një Shqipëri të bashkuar. /2LONLINE/