Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka paralajmëruar se përveç njohjeve nga Tonga dhe Lesoto, pavarësinë e Kosovës pritet ta njohin edhe pesë shtete të tjera.
Gjatë një bisede për Kosovapres Hoxhaj ka thënë se këto pritje i bazon në takimet dhe vizitat që ka zhvilluar në disa shtete gjatë muajve të fundit dhe informatave që i janë dhënë nga autoritetet më të larta të këtyre shteteve.
“Në tre muajt e fundit kam vizituar disa vende të cilat nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës si dhe kam marrë pjesë në disa samite multilaterale sikurse Samiti Francë-Afrikë dhe Samiti i Organizatës për Bashkëpunim Islamik në Guinea Konakry. Në bazë të këtyre vizitave dhe takimeve që kam zhvilluar atje kam pas informata të sakta, nga dora e parë, që në një periudhë kohore nga janari 2014 deri në qershor 2014 do të jenë shtatë (7) vende të cilat do ta njohin Kosovën. Dy vende tashmë kanë marrë vendim që ta njohin Kosovën, Tonga dhe Lesoto, ndërsa pres që në muajt e ardhshëm deri në qershor edhe pesë (5) vende të tjera ta njohin Republikën e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur”, ka thënë ministri Enver Hoxhaj.
Shefi i diplomacisë kosovare ka vlerësuar se kjo flet për atë që procesi i njohjes ka një gjeografi globale dhe se është i pandalshëm.
“Padyshim që qytetarët e Republikës së Kosovës do të presin lajme të mira sa i përket njohjeve”, tha ministri Hoxhaj.