Me propozim të Ministrisë së Drejtësisë, Qeveria ka miratuar dy akte nënligjore të cilat parashihen me Ligjin për kompensimin e viktimave të krimit.
Me këto dy udhëzime, mundësohet kompensimi financiar i viktimave të veprave penale, si: vrasjeve, trafikimi me njerëz, dhunimi, keqpërdorimi seksual i fëmijëve, veprat penale që bien në fushëveprim të Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, si dhe autoritetet vendimmarrëse për procedurat e realizimit të së drejtës për kompensim.
Njëri Udhëzimi Administrativ, bën fjalë për parashtruesit e kërkesës dhe për vendimet e lëshuara rreth kompensimeve. Rregullon kushtet për lëndën, vendimin, komunikimin si dhe pjesën e punës së komisionit i cili do të bëjë vlerësimin e kërkesave për kompensim.
Ndërsa Udhëzimi Administrativ për mënyrën e kompensimit, përfshin llogaritjen e kompensimit për dëmtimet e shumëfishta si dhe kërkesën për kompensim, që përfshin plotësimin, dorëzimin dhe afatin brenda së cilit duhet të dorëzohet kërkesa.
Ministrja Dhurata Hoxha, theksoi se udhëzimet u hartuan me aktorët relevantë dhe me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për këtë, shprehu mirënjohje.
“Me aprovimin e këtyre dy akteve nënligjore, po kompletohet legjislacioni i nevojshëm dhe mund të fillohet me procesin e kompensimit të viktimave të krimit, proces për të cilin Ministria e Drejtësisë është shumë e përkushtuar të fillojë sa më parë”, ka thënë ministrja Hoxha.