Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë sot homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, në njëvjetorin e vdekjes së veteranit të luftës së UÇK-së, Hilmi Haradinaj, baba i tre heronjve të kombit.
Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj tha se sot është një ditë e kujtimit të ndarjes nga jeta të babës Hilmi, duke falënderuar të gjithë ata që përgjatë gjithë jetës sa ishte gjallë Hilmiu i bën nderim dhe respekt nga të gjitha trojet e atdheut.
“Një falënderim i madh i shkon të gjithë atyre që morën pjesë në varrim. Edhe sot ju falënderoj për idenë për ta kujtuar Hilmin në njëvjetorin e ndarjes nga jeta”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se nuk është i tepërt nderimi për figurat e kombit, bashkëluftëtarë, veprimtarë e dijetarë.
Kryeministri Haradinaj tha se kësisoj dërgojmë porosi se kemi një vetëdije të lartë kombëtare e cila nuk është e rastësishme, ashtu siç nuk është e rastësishme liria e Kosovës, si pjesë e lirisë së atdheut.
“Kjo është një porosi për ata që jetojnë në Kosovë, si për shumicën shqiptare, komunitet, por edhe për palët tjera, se ata që dinë ta respektojnë Kosovën dhe të drejtën e saj, Kosova është mirënjohëse”, tha kryeministri Haradinaj.
Para të pranishmëve të shumtë, përfaqësues të shumtë të nivelit qendror dhe lokal, një fjalë rasti e mbajti kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili tha sot po e kujtojnë një burrë të madh të kombit.