Në një raport të ardhur prej Durrësit më 8 mars, mësohet se janë djegur e rrafshuar për tokë fshatrat e mëposhtme: Ses, Larushk, Minikel, Scej dhe Gromen.
Shkruan: Sami ARIFI
Në Ses, gra, vajza dhe një numër fëmijësh, gjithsej 80 (tetëdhjetë) shpirtra, janë kyçur ndër shtëpia të cilave u është vënë flaka. Banorët e fshatrave përqark Krujë-Kurbin kanë ikur maleve për të shpëtuar kokat, duke e lënë tërë pasurinë që kishin.
Edhe ish-konkurenti i Stalinit për president në Rusi, me origjinë hebreje (izraelit), pas vdekjes së Leninit, Leon Trocki, dëshmitar i masakrave serbe ndaj shqiptarëve në Shkup, bashkëpunëtor i gazetës më të rëndësishme të asaj kohe, dhjetor i vitit 1912 e gjen atë si i dërguar special i gazetës ruse “Kievskaja Mils” në Shkup, dhe rrethana të tij për të bërë një reportazh lufte.
Kjo gazetë në atë kohë ishte më e madhja dhe më e rëndësishmja që botohej në Kievë në gjuhën ruse, jashtë kryeqytetit rus, Moskës.
Lexo edhe: Holokausti i Shqiptarëve nga Serbia (1912-1913) – (III)
Këtë pushtim Trocki e raporton përmes gazetës se, u shoqërua me masakra, gjenocid masiv ndaj popullatës shqiptare krejtësisht të paarmatosur, ku sipas shtypit të kohës, gjatë kësaj ofensive humbën jetën rreth 250. 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) shqiptarë në mënyrën më barbare përmes djegies për së gjalli të grave, fëmijëve pleqve, madje edhe duke u prerë barkun grave shtatzëna me bajonetë, e duke nxjerrë fëmijën dhe duke e ngulit atë në majë të bajonetës.
Trocki konkludoi se: serbët në të ashtuquajturën “Serbi e Vjetër”, në përpjekjet e tyre kombëtare për të përmirësuar shifrat në statistikën etnografike, të cilat nuk u konvenojnë, i kanë hyrë thjesht një shfarosje sistematike të popullatës shqiptare myslimane, po edhe të tjerëve me përkatësi jo ortodokse.
Shtabi Suprem i Armatës serbe përveç që bënte terror e masakra mbi popullatën shqiptare, organizonte skenar me urdhra urgjente, sipas të cilit para opinionit ndërkombëtar duhej krijuar përshtypja, sikur shqiptarët kudo në zonat e okupuara ishin qenësisht interesuar që trojet e tyre t’i bashkëngjiteshin Serbisë e jo të mbeteshin në “Shqipërinë Bregdetare”.
Nuk dihet me siguri se sa skenar të tillë qenë organizuar në terren, por dokumentacioni në dispozicion na mundëson t’i përmendim disa sosh.
Telegrami i ministrit të jashtëm italian San Xhuliano (A. Di San Guliano) të datës 20 dhjetor 1912, drejtuar ambasadave, të Italisë në Beograd, Berlin, Stamboll, Londër, Petersburg dhe Vjenë ku ndërmjet tjerash nënvizohet:
Në Tiranë, Kavajë, Shijak, serbët i detyrojnë shqiptarët myslimanë dhe shqiptarët katolikë të firmosin peticionin në gjuhën serbe, me të cilën deklarojnë se janë të kënaqur me opinionin serb.
I njejti skenar u përsërit edhe në Rrafshin e Dukagjinit, ku mund të paraqesim disa pjesë të telegramit të dhunshëm dhe të inskenuar ndaj qytetarëve të Prizrenit me rrethinë, drejtuar Konferencës Ambasadorëve në Londër, më 26 dhjetor 1913: “Para jush përfaqësues të Fuqive të Mëdha është zgjidhja e çështjes jetike të ekzistencës dhe prosperitetit të fisit tonë në këto anë”.
Prandaj më poshtë të nënshkruarit në emër të banorëve të qytetit të Prizrenit dhe regjionit të tij, thuhej: “ju lusim për përkrahje të mëshirshme, që me rastin e zgjidhjes së fatit tonë mos të na bashkëngjitni me Shqipërinë Bregdetare, por të na lini në shtetin serb, në qoftë se na dëshironi një rehati kulturore dhe prosperitet ekonomik, ne jemi të origjinës serbe”.
Krejt së fundi kësaj storie propagandistike serbe, të shtojmë se edhe aleati jugor i Serbisë, Greqia pak më vonë do të përdorë të njëjtat metoda. Me 12 mars 1913 shkruan gazeta italiane nga Trieshta “Albanische Correspondenz”, si vijon më poshtë:
Lajmet që vinë nga Tirana, bëjnë të ditur se serbët nisën edhe një valë të re vrasjesh e masakrash në rrethinat e Tiranës. Banorët e një rrethi të lagjes së Tiranës strehuan një numër vullnetarësh shqiptarë dhe u dhanë për të ngrënë.
Me të marrë vesh këtë, komandanti i trupave serbe të pushtimit, urdhëroi divizionin e tij që të rrethonin atë lagje. Si përfundim të gjithë shtëpitë e saja, përfshirë këtu edhe kullën e Faut Bej Toptanit, u kthyen në grumbuj hiri. Shtatëmbëdhjetë burra u dogjën të gjallë. Tetë burra dhe dy gra u ekzekutuan me plumb.
Ishin bërë të gjitha manovrimet kundër kishës katolike të Janjevës (me katër qind familje kryesisht të origjinës sllave) me qëllim që besimtarët të detyroheshin (me forcë) që të hiqnin dorë nga feja e tyre.
Në këtë peshkopatë për disa shekuj rrinin tetëqind katolikë, të ashtuquajtur “Laramanat”, të cilët gjatë okupimit turk e fshihnin identitetin e tyre fetar. Kur ikën turqit e arritën serbët, disa qindra prej tyre deshën që tanimë të kthehen publikisht si katolikë.
Por, pas ardhjes së përfaqësuesve të qeverisë serbe , atyre iu deklarua përfundimisht: “Ose myslimanë, ose ortodoksë, por jo katolikë”! Thuhej ose myslimanë… nga se këta s’kishin mbrojtjen e askujt! Ndërsa për katolikë, për një të ardhme të afër, frikoheshin nga Fuqitë e Mëdha, prandaj serbët donin që sa më pak të ketë katolik në zonat e pushtuara prej tyre.
Serbët propagandonin që myslimanë me ortodoksë i ndanë hollësia sa cipa e qepës, pra, për t’i përçarë në mes vete shqiptarët përmes konfesioneve që kishin ata.
Pran altarit të Letnicës ndodhej një fshat që quhej Shashare që kishte nëntëqind familje, që të gjithë katolikë. Kur Shasharën e morën serbët, mblodhën të gjithë burrat pa përjashtim, dhe i lidhën. Mbasandej filluan t’u plaçkitnin shtëpitë e t’u përdhunonin vajzat e gratë në mënyrën më të neveritshme.
Po ashtu edhe në Nashec, tridhjetë burra po rrinin krejt të qetë në punë të vet. U vranë pa asnjë shkak brenda një dite. U vranë për të vetmin “krim” që kishin bërë,-e kishin quajtur veten shqiptarë katolikë.
Vazhdon pjesa e fundit…