…Ishte një ditë, një ditë e largët nga e sotmja… ndoshta kurrë nuk do të më kujtohet se cila, kur e kuptova atë, të Vërtetën e madhe…por e pakta, besoj se do të kem qenë duke menduar për natyrën njerëzore, të tillë si jemi, me pasionin që ta ndryshojmë vetveten, por kurrë nuk arritëm të ndryshojmë asgjë, sepse të gjithë vëllezër të Sizifit të mjerë jemi…
… Dhe si të mos qaj pastaj e të mos mallëngjehem për ty, për lulen e vyshkur, për lojën e pa mbaruar, për atë ditë të kaltër vere, për portokajtë e verdhë dhe më së shumti për sytë e sajë të mbushur me lot!? E nuk kamë më asnjë shpresë se ndonjëherë do të mund ta shpëtoj njeriun nga vuajtja … Athua kurrë nuk do ta kuptojmë as ëndrrën e pulëbardhës që dremitet në ujin e qetë të lumit, ja aty, aty përballë shelgut vajtues…
…E pastaj erdhën dhe shkuan edhe shumë ditë e muaj dhe unë e harrova vetveten, por jo edhe frikën, frikën që kthehej në dhembje dhe dhembjen që shkrihej në frikë…dhe sot nuk e dijë se çka ka mbetur nga jeta e shkrirë rrëkeve të zemrës dhe vrragëve të kësaj lëngate, nga e cila u mundova të ikë derisa ti shëtisje kurorës së malit dhe nuk gjeje prehje…
Athua pse krijuesi e vendosi këtë bjeshkë të lartë para këmbëve tona dhe ende pa arritur të ngrihemi në gjunjë na tha: ngjituni në majë ! Për çdo hap afrimi, maja rritej edhe për dy hapa…
Në fillim të kësaj historie dhimbjeje isha përpjekur të prekja shtatin dhe thellësinë e plagëve të saj, por si mund të mbërthehen në pëllëmbë të dorës bjeshkët e nëmura edhe pse ato ndoshta do të mund të na dëshmonin diçka për këtë zanafillë tragjike… për këtë hamshorë të harlisur që shkel pa mëshirë mbi ëndrrat tona të bukura…
Shpesh herë, sa për ngushëllim, e kujtoja babin, gjyshin dhe paraardhësit e tyre, të gjithë në radhë kishin vuajtur të njëjtën sëmundje dhe asaj kurrë nuk i gjetën shërimin në krojet, me yjet, e as me orët e malit…!?
U nisa kësaj rruge të gjatë dhe nuk do të zmbrapsem përderisa të mos i gjurmoj të gjitha krateret e dhimbjes së shekujve që presin të hapen para këtij publiku të hutuar në këtë teatër të regjisorit të Madh.
Duket se kupa e madhe e qiellit po mbushet dhe para se të na bëhet vonë, duhet ta këndojmë edhe këtë varg të fundit dhe të shpresojmë se mund të zbusim pak zemrën e Hyjit…
Ndoshta këto janë ato ditët e Mëdha kur do të mund të hapim unin dhe të shpëtojmë nektarin nga helmi i cili ka ngrirë qelizat tona të mjera që dridhen nga ky xhelat i pa mëshirë…
…Dhe le të jetë kjo një ditë dhe një orë solemne, një ngjarje e shënuar në këtë milenium, një fillim, një histori e re…
Eh po, ai fillimi i fillimit, atje në kopshtet e Adenit dhe në mes atyre mollëve hyjnore ku ishte ngjizur mëkati i Madh…do të ishte dashur të shpërthente një vajtim i fuqishëm që do ti bënte të qanin gurin e drurin…të dëgjohej thellësive të shekujve dhe gjatë këtyre orëve të regjura me pikëllim…
Por jo, në ditën e dytë, ishte harruar molla dhe ishte ndriçuar qielli,… ishte çmendur ujku nga madhështia e detit…dhe kishin nisur të mbështillen botët si palët e jorganit…pash mbi pash.
I kisha kërkuar këto përgjigje me vite…por nuk dukej askund fija e këtij lëmshi të ngatërruar në këtë skaj të kozmosit…
/Bejtush ISUFI/