Ditë më parë, derisa dëgjoja në TV një intervistë të femrës më të votuar në LDK dhe mbarë Kosovën, zonjën Vjosa Osmani me 64.131 vota, e cila shkaktare për humbjen e LDK-së dhe rënjën e votuesve të saj i bëri koalicionet, me theks të veqantë atë të fundit me PDK-në, duke mos e bërë përgjegjës asnjërin prej eksponentëv të LDK-së!
Florim Zeqa
Për një çast u ndala e meditova, vallë kush i paska lidhur ato koalicione të panatyrshme në emrin e LDK-së, ndërkombëtarët apo “alienët” e zbritur nga qielli në tokë!?
Shpërndarja në këtë mënyrë e përgjegjësisë për humbjen katastrofale të LDK-së, është pak më tepër se papërgjegjësi, është imoralitet i pastër politik.
Nuk ka si të jetë ndryshe, kur krahapura e LDK-së, Vjosa Osmani e ngazëllyer nga fitorja personale në LDK, i harroj aq shpejtë shkaqet e humbjes katastrofale të subjektit të saj në zgjedhjet e 11 qershorit.
E harroj dhe anashkaloj (qëllimshëm) koalicionin e natës së 19 nëntorit të vitit 2014-të, kur lideri aktual i LDK-së, pikërisht atë natë të vjeshtë së vonë e determinoj humbjen e LDK-së në zgjedhjet e 11 qershorit 2017-të.
Me ose pa 64 mijë votat e Vjosës, LDK-ja nuk ka pasur gjasa të bie më poshtë se kaq në renditjen paszgjedhore. Andaj çdo krekosje dhe çdo lloj entuziazmi i cilitdo deputet të LDK-së për fitoren personale karrshi humbjes katastrofale të subjektit politik, është sa e padenjë, po aq edhe e pamoralshme. Ngase çdo fitore personale në zgjedhje, përveqse e pakrahasueshme me humbjen e LDK-së, është vrastare për të ardhmen e subjektit që përfaqësojnë.
Sepse kështu vetvetiu krijohet përshtypja tek elektorati, e përfitimit personal të individëve të caktuar mbi subjektin politik, duke përdorur elektoratin si instrument për kënaqjen e egos së tyre personale.
Është pikërisht kështu, jo pse po e them unë, por pse po mungon përgjegjësia dhe llogaridhënja për humbjen e subjektit politik.
Mosllogaridhënja nga askush prej drejtuesve të LDK-së për humbjen katastrofale, e cila për herë të parë në historikun e saj të gjatë, ky subjekt rrëshqet në vendin e tretë, e çka është më keq, me trend të katandisjes akoma më të madhe në zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017-të.
Po ndodhë kështu, për faktin e thjeshtë të papërgjegjësisë apsolute të liderit të saj, Isa Mustafa, tashmë i shndërruar humbës serik të zgjedhjeve (katër herë radhazi).
Është krejtësisht e kuptueshme situata shpirtërore e diktatorëve të sojit të tillë, por nuk është aspak e justifikueshme heshtja dhe mosreflektimi i kryesisë dhe KP të LDK-së ndaj humbjeve serike të partisë në zgjedhje!
Akoma më e pajustifikueshme mbetët heshtja e deputetëve të sapozgjedhur nga radhët e këtij subjekti politik. Mbase deputetët e rinjë e të vjetër të LDK-së do duhej të ishin të parët në reflektimin pozitiv, të kërkimit të përgjegjësisë politike ndaj liderit që e tkurri deri në këtë masë LDK-në, apo siq e kam thënë ditë më parë e zvogëloi në “përmasat e tij trupore”!
Andaj deputetet e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e LDK-së, nëse vërtetë dëshirojnë të dëshmojnë vetën se nuk janë servilë dhe puthador të liderit diktatorial, atëherë duhet pa asnjë hezitim dhe pa frikë të ngrenë zërin dhe të reagojnë, të kërkojnë shkarkimin e Isa Mustafes dhe sejmenëve të tij, për fillimin e reformave të thella, për të shpëtuar partinë nga katandisja e mëtutjeshme.
Këtë e kanë për obligim ndaj elektoratit që i ka votuar, ndaj atyre që ua kanë dhënë mandatin e deputetit. Me besimin e marrë nga elektorati, deputetët janë fuqiplotë në vendimin e tyre për shkarkimin e liderit, humbës serik të katër palë zgjedhjeve.
Andaj, deputetë të nderuar të LDK-së, që vazhdimisht thirreni në frymën rugoviane, lirohuni sa më parë nga psikologjia e robit dhe të nënshtruarit ndaj liderit diktatorial të LDK-së.
Ngase urimit të fitoreve tuaja personale (mandatit të deputetit) më së shumti i gëzohet lideri, të cilin ju me(pa)qëllim, duke festuar, jeni duke e amnistuar atë nga përgjegjësia për humbjen e thellë të partisë në zgjedhjet e 11 qershorit.
Mos u mashtroni për interesa personale dhe pak privilegje pushteti të përkohshëm që ju sollën zgjedhjet e 11 qershorit, ngase rezultati i zgjedhjeve të 22 tetorit mund të ndryshoj për 360 gradë rrjedhën e zhvillimeve politike në Kosovë.
Vërtetë, shkuarja e LDK-së në zgjedhjet e 22 tetorit me një lidership të ri, mund të bëjë kthesën e madhe, të nxitjes dhe motivimit për dalje në zgjedhje të rreth 50% të elektoratit pasiv të LDK-së, i cili do ta nxjerrte këtë subjekt fitues të shumicës së komunave të Kosovës.
Në të kundërtën, LDK-ja do t’i i humbë edhe ato komuna që njihen si bastione tradicionale të saj. Ju deputet të kësaj legjislature nga radhët e LDK-së, nëse nuk ngriheni edhe kësaj radhe kundër liderit diktatorial, vërtetë do t’u mbetët si ngushllim të kënaqeni me postet e juaja në parlament deri në zgjedhjet e radhës, mbase të përgjithshme të 22 tetorit 2017-të.
Pavarësisht faktit se cili nga ju muarë vota më shumë, votat e juaja janë të barabarta me golat e shënuara në një ndeshje futbolli, kur skuadra juaj pëson humbje dhe bie nga liga e dytë në ligën e tretë.
Për dallim nga vendet e tjera, në Kosovë festohet edhe humbja!
Deputetë të LDK-së, që po uroni njëri-tjetrin dhe vetvetën përmes simpatizantëve fanatik, më lejoni t’ua uroj edhe unë nga largësia, me fat fitorja e Pirros!!!