“Heroi i kombit “Abdullah Tahiri” është kthyer përjetësisht në bronz, në vendin ku u arrestua nga ata të cilët menduan që ai kurrë nuk do të jetë pranë nesh. Iliri, Albana, Republika e Trimi, fëmijët e Abdullahut, janë emra të cilët simbolizojnë më së miri epitetin e heroizmit dhe atdhedashurinë për vendin nga Abdullah Tahiri”, ka thënë nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, pas inaugurimit të shtatores së heroit Abdullah Tahiri, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Sipas Ismajlit, përmbysja e tabakut në mensën e studentëve të cilat i dhanë rrugë demonstratave të vitit 1981, thirrja dhe organizimi për t’iu bashkuar UÇK-së, dhe vetë-organizimi dhe mobilizimi ushtarak i Abdullah Tahirit, bënë që ky njeri të jetë gjithmonë nismëtarë i betejave ushtarake kundrejt një regjimi të cilin nuk e duronte dot.
“Nga ai mësuam se, edhe pas luftës do të ketë ‘luftë’, por vetëm do të ndërrohen mënyrat e saj, kësaj radhe, luftë në paqe. Abdullah Tahiri do të mbahet mend si njeri me vizion diplomatik, ushtarak dhe kombëtar, vizione të cilat do të jenë përgjithmonë në mbamendjen e shqiptarëve”, ka thënë nënkeyetari Ismajli. /2LONLINE.com/
FOTO: Visar BEQIRI