KMDLNj : Zyra e Prokurorit të Specializuar shkel në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut!

KMDLNj : Zyra e Prokurorit të Specializuar shkel në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut!

“Bërja publike e emrave të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, pa u konfirmuar aktakuza nga gjykatësi i procedurës paraprake është shkelje e paskrupullt e rregullores së punës, veprim joprofesional dhe tendencioz sikur që paraqet shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut e që, në radhë të parë është dashur të reagojë Ombudspersoni i Dhomave të Specializuara”, thuhet në një reagim të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj)

Reagimi i plotë:

Zyra e Prokurorit të Specializuar shkel në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut!

Më 24 qershor 2020 Zyra e Prokurorit të Specializuar dorëzoi një propozim-aktakuzë në Dhomat e Specializuara ku gjykatësi i procedurës paraprake, pas shqyrtimit duhet ta konfirmojë këtë propozim aktakuzë apo ta hedhë si të pabazuar.

Propozim-aktakuza përbënë 10 pika në të cilat pretendohet se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli kanë bërë shkelje të rëndë të së drejtës humanitare dhe zakoneve të luftës, duke i bërë përgjegjës për vrasje të 100 personave dhe , siç thuhet zhdukje të dhunshme apo trajtim çnjerëzorë të qindra të tjerëve.

Kjo aktakuzë, qoftë edhe në formë të propozimit qenka dorëzuar në Dhomat e Specializuara më 23 prill 2020 dhe vetëm tani është bërë publike. Rregullorja e brendshme e punës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar nuk ka të drejtë, pa pëlqimin e palës as të tregojë identitetin e personit apo personave të ftuar qoftë në cilësinë e të dyshuarit apo të dëshmitarit.

Bërja publike e emrave të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, pa u konfirmuar aktakuza nga gjykatësi i procedurës paraprake është shkelje e paskrupullt e rregullores së punës, veprim joprofesional dhe tendencioz sikur që paraqet shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut e që, në radhë të parë është dashur të reagojë Ombudspersoni i Dhomave të Specializuara.

Për më keq, Zyra e Prokurorit të Specializuar, në mënyrë selektive përmend vetëm emrat e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, ndërsa emrat e 9 të tjerëve që janë të përfshirë në propozim aktakuzë nuk i përmend fare, duke i diskriminuar në mënyrë flagrante të apostrofuarit dhe duke i vënë në pozitë të pabarabartë me të tjerët.

Ndër të tjera, si argument kyç për bërje, krejtësisht të palejueshme të emrave të përfshirë në propozim-aktakuzë, Zyra e Prokurorit Special e përdorë faktin se më herët , të apostrofuarit paskan bërë përpjekje ta zhbëjnë këtë Gjykatë Speciale në Kuvendin e Kosovës dhe se këto përpjekje nuk i kanë ndërprerë deri më tani.

Nëse Kuvendi i Kosovës e ka votuar Ligjin për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe nëse kjo vazhdimisht theksohet nga ndërkombëtarët, këto Dhoma të Specializuara janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës, atëherë është krejtësisht normale që këta deputetë apo ky Kuvend, ashtu siç e ka votuar Ligjin për themelimin e Dhomave të Specializuara, sipas së njëjtës procedurë edhe mund të votojnë për zhbërjen e saj!

Mirëpo, është fakt se kjo gjykatë nuk ka asnjë lidhje me sistemin e drejtësisë në Kosovë, nuk i nënshtrohet ligjeve të Kosovës dhe nuk e pranon autoritetin kosovar, prandaj edhe nuk mund të zhbëhet, as nga Hashim Thaçi, as nga Kadri Veseli dhe as nga askush në Kosovë për faktin se në një aneks marrëveshje është rregulluar se në muajin gusht 2020, kur i skadon mandati kësaj gjykate, për vazhdimin e saj nuk ka nevojë fare të kërkojë pajtimin e autoriteteve kosovare, por se mandati i vazhdohet me automatizëm. Po kjo Gjykatë e Specializuar, edhe kur të vije koha ta mbyllë mandatin, nuk ka detyrim të lajmërojë autoritetet kosovare por thjeshtë, me një shkresë e informon autoritetin që e pranon dhe që i nënshtrohet, atij të BE-së. Po të ishin këto Dhoma të Specializuara pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës (duhet të jeni së paku i marrë dhe ta besoni këtë), deputetët e Kuvendit të Kosovës, përmes një seance të jashtëzakonshme do të kërkonin përgjegjësi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për shkelje të rëndë të rregullores së punës por se kjo nuk mund të ndodhë.

Prandaj, nuk është aspak profesionale dhe etike, që në këto rrethana të dezinformohet opinioni se në gusht deputetët e Kuvendit të Kosovës mund ta zhbëjnë këtë gjykatë. Absolutisht kjo është e pamundur në bazë të marrëveshjes së nënshkruar midis Kosovës dhe Holandës.

KMDLNj, që nga përfundimi i luftës ka kërkuar drejtësi për të viktimat dhe përgjegjësi për ata të cilëve iu dëshmohet fajësia pa bërë asnjë dallim në baza etnike, moshore, gjinore, bindjeve politike dhe statusit në shoqëri, si për viktimat, ashtu edhe për ata që pas procedimit të provave u dëshmohet përgjegjësia penale.

Kërkesa e KMDLNj edhe sot është e njëjtë, drejtësi për të gjitha viktimat dhe përgjegjësi për të gjithë ata që kanë bërë krime.

Dhomat e Specializuara po përpiqen të ofrojnë drejtësi vetëm për një numër të vogël të viktimave, duke ofruar drejtësi selektive në baza etnike dhe atyre politike, ndërkaq që i lë të patrajtuara dhe pa mundësi të satisfakcionit për më shumë se 90 për qind të viktimave, kryesisht për shkak të përkatësisë etnike dhe oportunizmit politik.

KMDLNj kërkon që të gjithë të dyshuarit, të akuzuarit dhe ata që do të gjykohen duhet t’i nënshtrohen një procesi gjyqësor të drejtë, fer, të paanshëm dhe të pandikuar politikisht e që në rastin konkret duket se vështirë mund të ndodhë.

KMDLNj kërkon përgjegjësi konkrete për Zyrën e Prokurorit Special për shkak të veprimit profesionalisht të papranueshëm dhe nga aspekti i të drejtave të njeriut të dënueshëm për faktin se e ka bërë linçimin publik të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit duke e shkelur rregulloren e punës dhe duke publikuar emrat (vetëm të tyre), pa u konfirmuar aktakuza nga gjykatësi i procedurës paraprake.

KMDLNj fton të gjitha organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që kanë ekspertizë profesionale për monitorim të proceseve gjyqësore dhe trajtimin e personave të privuar nga liria të monitorojnë këto procese aq më parë që Zyra e Ombudspersonit të Dhomave të Specializuara nuk është dëshmuar se i mbron të drejtat e njeriut të personave të intervistuar, të akuzuar dhe potencialisht të dënuar nga kjo Gjykatë.

KMDLNj fton të gjithë të përmbahen nga tensionimi i situatës, të demonstrojnë një maturi, ndërkaq që institucionet e Kosovës duhet të përgatiten për përballje me pasojat eventuale sikur që të sigurojnë mbrojtje ligjore për të gjithë ata që potencialisht mund të jenë subjekt trajtimi nga kjo Gjykatë dhe familjet e tyre.

Institucionet e Kosovës duhet të deklarohen botërisht se Dhomat e Specializuara nuk kanë asgjë të përbashkët me sistemin e drejtësisë në Kosovë, nuk janë pjesë e saj, nuk i japin përgjegjësi institucioneve të Kosovës, në të kundërtën do ta marrin një përgjegjësi që realisht nuk iu takon.

KMDLNj kërkon që të hetohen të gjitha rastet e krimeve të luftës duke bërë presion te këto Dhoma të Specializuara të trajtojnë dhe ofrojnë drejtësi për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre. Nëse vazhdohet me një drejtësi dhe padrejtësi selektive, këto Dhoma do të dështojnë në përmbushjen e mandatit duke e kthyer procesin në pikën zero dhe duke bërë të pamundur çdo nismë për tejkalimin e situatës në këtë pjesë të Ballkanit. Para drejtësisë nuk duhet ë ketë të privilegjuar e as të diskriminuar.

KOMENTE