Në kuadër të nismës “7 javë – 7 projekte”, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka prezantuar sot projektin e Bulevardit të Qytetit dhe kostoja e këtij projekti, sipas tij, është rreth 20 milionë euro.
Por, kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Gjilan, Lutfi Haziri, një subjekt ky opozitar që ka shumicën në Kuvend, vlerëson se kjo është vetëm një tendencë për ta ndryshuar rregullimin e Bulevardit “Ibrahim Rugova”, dhe se është skandal i radhës për ta dështuar projektin.
Haziri ka thënë se pas dështimeve frapante e stagnimeve në autostradë, në impiantin e ujërave të zeza në Uglar, te rrugët regjionale për Kllokot/Ferizaj/Prishtinë/Bujanoc, stadiumin e qytetit, sheshin mbi lumin Mirusha në pjesët veriore dhe jugore, pastrimin, rregullimin dhe rikthimin e pendës së Livoçit në qendër rekreative e edukative, rregullimi i trotuareve në Dardania 2 dhe Deremahallë, administratori i Komunës paska prezantuar një ‘projekt’ për bulevardin e qytetit.
“Kjo tendencë për ta ndryshuar rregullimin e Bulevardit “Ibrahim Rugova”, është skandal i radhës për ta dështuar projektin. Kjo është edhe një përpjekje e radhës për ta bërë sa më monumental mashtrimin”, ka thënë Haziri i LDK-së.
Sipas tij, nuk pritet asgjë më shumë nga, siç ka thënë ai, “qeverisja e lloçit, mykut, stagnimit, skandaleve dhe mizevirave”.
“Krejt çka dinë këta është me ble ndonjë kamion në formë pazarishte, pa procedura të prokurimit, duke e zhvendosur Komunën dhe rolin e saj në marionetë skandaloze. Po dëshmohet për tri vite e do të dëshmohet edhe për këta muaj sa u kanë mbetur se mashtrimin e kanë logjikë të administrimit”, ka thënë tutje kreu i LDK-së së Gjilanit, Lutfi Haziri.
Ai shtoi se Gjilani meriton shumë më shumë dhe shumë më mirë. /2LONLINE/