Kryetari i Degës së LDK-së së Gjilanit, njëherësh nënkryetari në nivel qendror, Lutfi Haziri, para medieve ka ngritur shqetësimin për anulimin e projektit për rinovimin e Stadiumit të Qytetit.
Ky është dështimi më i madh që e ka shkaktuar Komuna, në rrjedhën e shumë dështimeve të njëpasnjëshme tash e 3 vite. Me këtë vendim u faktuan gjetjet që ne si LDK i kemi paralajmëruar qe një kohë. Shqetësimet tona për një proces të mbyllur, jotransparent, për një proces me ndërhyrje nga jashtë dhe me gjithë këtë kaos që Komuna jonë e ka shkaktuar, dje përfundimisht ky proces u kthye në pikën zero, ka thënë Haziri.
Sipas tij, procesi ka qenë i korruptuar, dhe si i tillë në të ardhmen nuk garanton të jetë prapë i hapur.
Nga sot e tutje do të dalin faktet në dritë, sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me mbyllje të dyerve, fikje të kamerave apo ndërhyje në aplikacione, por kemi të bëjmë edhe me dyfishim të çmimit të komplet projektit. Nuk bëhet fjalë vetëm për 2 milionë euro më shumë, por për mbi 7.8 milionë euro nga projekti ynë, ka thënë tutje i pari i LDK-së së Gjilanit.
Haziri ka thënë edhe se tani është një mundësi e mirë që ky proces të kthehet tek sportdashësit, e Komuna e Gjilanit ta ketë një rol sekondar. Është mundësi e mire, gjithashtu, që të bëhet revidimi i projektit, e të merret parasysh peticioni qytetar dhe idetë e akterëve të ndryshëm për një projekt që qyteti e meriton, sepse projekti i kaluar nuk ka qenë aspak urban krahasuar me atë që qyteti duhet ta ketë pas 4-5 vitesh.
Sipas Hazirit, Drita dhe Gjilani, dy ekipet tona që vitet e fundit kanë shkëlqyer në Superligë dhe në gara ndërkombëtare, nuk meritojnë më të luajnë në qytetet tjera.
Kreu i LDK-së së Gjilani thotë se tash është koha e hetimeve në gjithë këtë proces. Duke qenë se si Komunë, kemi Zyrën e Prokurimit ku është dashur të mbahen takimet për këtë proces, kjo zyre është anashkaluar tërësisht. Nuk mundet që për projekte të tilla kapitale, të vendoset me vizita në Zvicërr e me takime të fshehura.
“Politikanë që shkaktojnë pakënaqësi të tilla, si kjo me Stadiumin e Qytetit, që në matje ka dalur edhe si projekti numër 1, me të cilin qytetarët e Gjilanit janë zhgënjyer nga kjo qeverisje, ai politikan duhet ta mendojë mirë punën në atë zyre dhe rrogën që e merr. Momentalisht, ky administratori i Komunës, merr vetëm atë rrogë këtu, në çdo aspekt tjetër ai është dorëzuar. Gjilani s’ka kryetar”, thotë Lutfi Haziri.
Ai u shpreh edhe se duke tentuar të gjej fajtorë brenda grupit të tij qeverisës, në mënyrë që ta shpëtojë vetën, ai cak në këtë mandat ka pasur gratë e zonjat e partisë së tij, të cilat në momentet e para që kanë shpërthyer skandalet e tij, i ka shkarkuar.
“Në pritje është edhe një drejtoreshë tjetër, por këto shkarkime nuk e amnistojnë”, ka thënë Haziri i LDK-së. /2LONLINE/