(2L ONLINE) – Qeveria komunale e Gjilanit, e udhëhequr nga kryetari Lutfi Haziri po vazhdon me suksese të mëdha në përmbushjen e obligimeve që ka ndaj qytetarëve të saj. Pas nisjes së asfaltimit të rrugës Lladovë-Nasalë, tri rrugëve në Përlepnicë, rrugës Pogragjë-Bilinicë, rrugës në lagjen “Dheu i Bardhë” dhe 11 rrugicave të tjera, sot po përfundohet me sukses edhe asfaltimit i rrugës “Halim Orana”, ndërsa është në përfundim e sipër rregullimi i rrugës në varrezat e qytetit.
Kryetari Lutfi Haziri, i shoqëruar nga nënkryetari Rexhep Kadriu, drejtorët komunal dhe shefi i këshilltarëve të LDK-së, Avdyl Aliu, i ka inspektuar sot punimet në varrezat e qytetit dhe asfaltimin e rrugës “Halim Orana”, duke vlerësuar se nuk po bëhet asgjë më shumë, pos po i realizon premtimet e katërshes së madhe të prioriteteve, në rregullimin e rrugëve, trotuareve, kanalizimit, ujit dhe ndriçimit publik.
“Të gjitha këto projekte po i realizojmë në një kohë shumë të shkurtër të qeverisjes pesë muajsh, të cilat po ndërtohen në mënyrën më të mirë. Jam zotuar se në mandatin tim do ta heq lloçin dhe vadat dhe kjo po ndodhë sepse ua kemi për obligim qytetarëve tanë t’ju sigurojmë jetë të dinjitetshme”, ka thënë kryetari Haziri.
Nga mjetet e zotuara nga Ministria e Infrastrukturës për dy projektet për asfaltimin e rrugëve Lladovë-Nasalë dhe Pogragjë-Bilinicë janë mbi 202 mijë euro, ndërsa Komuna për këto dy rrugë ka participuar në vlerë prej mbi 140 mijë eurosh.
Nga projektet në rrugët e qytetit, “Dheu i Bardhë”, “Dardania” dhe në rrugën “Ali Hadri”, nga Ministria e Infraëstrukturës janë zotuar mbi 374 mijë euro, ndërsa Komuna ka participuar në shumën prej mbi 70 mijë eurosh.
Mbeten edhe mbi 375 mijë euro mjete, të cilat planifikohen për asfaltimin e rrugëve të qytetit të cilat janë në fazën e tenderimit dhe atë: rrugët e Zabelit të Sahit Agës dhe një pjesë e rrugëve në lagjen e VIII.
Në vazhdimësi të kësaj, po vazhdon edhe projekti për rregullimin e rrugëve brenda varrezave të qytetit.
Po ashtu, do të nis ndërtimi i trotuarit nga shkolla fillore “Abaz Ajeti” deri në fshatin Velekincë.
Për terrenin sportiv në fshatin Livoq i Epërm, janë zotuar mjete në shumë prej mbi 15 mijë eurosh, ndërsa për rregullimin e terreneve sportive në pesë fshatra të Komunës së Gjilanit në shumë prej mbi 114 mijë eurosh.
Komuna ka filluar punët në realizimin e projekteve nga vitet paraprake dhe atë: rregullimi infrastrukturës ne fshatin Shillovë, asfaltimi i rrugës “Halim Orana”, asfaltimi i rrugës “Vëllezërit Hyseni”, asfaltimi i rrugëve në lagjen Zabeli i Sahit Agës, asfaltimi i rrugicave në fshatin Përlepnicë, rregullimi i kanalizimit atmosferik në lagjen “Arbëria”, rregullimi i kanalizimit atmosferik në lagjen “Baja”.
Përveç projekteve të mëdha që janë realizuar në qeverisjen Haziri, janë paguar edhe mbi 1.5 milionë borxhe trashëguara nga ish-qeverisja. Për paga dhe mëditje janë paguar mbi 23 mijë euro, për mallra dhe shërbime mbi 635 mijë euro, për shpenzime komunale mbi 80 mijë euro, për subvencione mbi 27 mijë euro, ndërsa për shpenzime kapitale janë paguar mbi 822 mijë euro. /2lonline/